Ndërrimi i shpeshtë i kuadrove dhe skepticizmi i qytetarëve, pengesë për zhvillimin e digjitalizimit dhe transparencës në RMV

Krijimi i repartit për mbrojtje të denoncuesve të korrupsionit, digjitalizimi i të dhënave me interes publik si dhe publikimi i obligueshëm i buxheteve të komunave dhe organeve shtetërore, janë disa prej rezultateve nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në nismën e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, nismë ku bëjnë pjesë 75 shtete nga e gjithë bota. Megjithatë, ambicia për digjitalizim dhe transparencë është penguar nga ndërrimi i shpeshtë i kuadrove institucional dhe skepticizmi i qytetarëve, në mungesë të besimit tek institucionet, shkruan Portalb.mk.

Në vitin 2011, Maqedonia e Veriut është anëtarësuar Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH), e cila është një nismë ndërkombëtare që synon të përhapë transparencën dhe përgjegjësinë e shteteve si dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje. PQH bashkon qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë bota për të punuar bashkërisht në mënyrë që ato të bëhen më transparente, më aktive dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Pasi një shtet pranohet në Partneritet, institucionet dhe organizatat e tij bashkë krijojnë iniciativa dhe bashkë i zbatojnë, në drejtim të rritjes së transparencës, përgjegjësisë dhe inovacionit në sektorin publik. Struktura e Partneritetit përmban Këshillin e PQH-së dhe Rrjetit të Organizatave Civile, detyra primare e të cilëve është të krijojnë Planin Kombëtar të Veprimit (PKV), i cili paraqet një listë me synime të angazhimeve strategjive për plotësimin në afat kohor prej tre vjetësh.

Planet e veprimit, vonesa dhe projekte të përsëritura

Prej anëtarësimit, RMV deri tani ka pasur pesë plane veprimi, gjegjësisht në periudhat 2012-2014, 2014-2016, 2016-2018 dhe 2018-2020 dhe për shkak kovidin, raporti i fundit është prej vitit 2021 deri në vitin 2023, i cili ende nuk ka përfunduar. Nga shqyrtimi i planeve të veprimit, mund të hetohet se ka shumë projekte të cilat në vazhdimësi barten prej njërit plan në tjetrin, për shkak se autoritetet e RMV-së nuk kanë arritur që t’i realizojnë plotësisht në afatet e parapara. Planet, dallojnë në strukturë njëra nga tjetra, ndërkaq klasifikimi i veprimeve nuk janë të radhitura njëjtë.

Në planin Kombëtar të Veprimit (2012-2014) ka pasur gjithsej 36 synime, të gjitha të orientuara drejt digjitalizimit dhe hapjes së të dhënave. Statusi i realizimit të këtij plani nuk është i dokumentuar dhe për këtë nuk mund të shihet se sa prej tyre janë realizuar. Në këtë plan kanë qenë të të përfshira krijimi i platformave e-uslugi, open data, ENER dhe e-demokratija, të cilat ekzistojnë edhe sot dhe janë aktive, por zhvillimi i këtyre platformave është dokumentuar edhe në planet tjera, kështu që nuk do të thotë se janë realizuar brenda PKV-së së parë 2012-2014. Shembull më klasik është ai i platformës nacionale e-uslugi, i  cili është lëshuar në dhjetor të vitit 2019-të, pavarësisht se është dashur të mbarojë deri në fund të vitit 2014-të.

Në Planin e dytë Kombëtar të Veprimit (2014-2016) prej gjithsej 44 synimeve , 17 nuk janë realizuar apo 38,6%. 13 prej këtyre synimeve, shumica e të cilave kanë qenë të natyrës së transparencës së të dhënave dhe publikimin e tyre nëpër ueb-faqet e institucioneve, janë shtyrë për në planin e ardhshëm.

Në raportin e “PQH-së” për këtë plan veprimi, janë theksuar disa vlerësime të ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile partnere për gjendjen e atëhershme të RMV. Sipas ekspertëve, RMV-së asokohe i mungonte “një sistem i unifikuar për pranimin dhe trajtimin e ankesave, financim i pamjaftueshëm nga shteti për mbrojtjen e qytetarëve dhe barrierat ligjore për veprimet kolektive ligjore dhe përfaqësim ligjor”.

Në Planin Kombëtar të Veprimit (2016-2018) nga 33 synime, 10 prej të cilave nuk janë realizuar apo 30,3%. 6 prej synimeve të këtij plani janë shtyrë për në planin e ardhshëm, në mesin e të cilave ishin iniciativa për buxhet të hapur, regjistri i hapur për koncesione, publikimi i marrëveshjeve nga furnizimet publike. Për dallim prej dy planeve paraprake, në këtë plan është evidentuar angazhimi i institucioneve për të miratuar ligjet për parandalim të korrupsionit, mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara, denoncuesve, si dhe krijimin e repartit për antikorrupsion.

Ligj për mbrojtjen e denoncuesve të korrupsionit, si pjesë përbërëse e Ligjit për Parandalim të Korrupsionit, me anë të të cilit obligohet mbrojtja dhe anonimiteti i denoncuesve, të ashtuquajtur “whistleblowers” për herë të parë është miratuar në vitin 2015-të, por në vitin 2016-të është krijuar repart për pranimin e denoncimeve. Të gjitha detajet për rregulloret dhe ligjet që kanë të bëjnë me këtë temë janë të publikuara në faqen e Ministrisë për Drejtësi së bashku me politikën e privatësisë dhe numër kontakti për të paraqitur rast korrupsioni. Mirëpo, megjithatë ka raste kur denoncuesit potencial nuk i përdorin këto mënyra kontakti, për shkak se kanë frikë të gjurmohen nëpërmjet telefonit, historisë së shfletuesit të internetit ose diçkaje të ngjashme. Për këtë arsye, Transparency International Macedonia, ofron një mundësi denoncimi nëpërmjet Tor shfletuesit, i cili garanton anonimitet të plotë digjital. Në vitin 2018-të u miratua versioni i ri i ligjit.

Po ashtu në 2016, pas ndryshimeve në Ligjin për Parandalim të Korrupsionit, u dha vëmendje e veçantë grupeve të margjinalizuara: njerëzit e përkatësisë rome, njerëzit që jetojnë në vende rurale, përdoruesit e drogës, punonjësit e seksit, fëmijët dhe familjet në rrezik shoqëror dhe disa grupe tjera. Qëllimi ishte që këtyre personave t’u mundësohej ndihmë ligjore pa pagesë, të informoheshin se e kanë një mbështetje të këtillë dhe të dinin ku ta kërkonin atë. Gjatë kësaj periudhe u miratuan ndryshimet ligjore, por krijimi i platformës për informim dhe obligime tjera të lidhura me këtë projekt u shtynë.

Plani i katërt Kombëtar i Veprimit (2018-2020) ka pasur 23 synime, ndërkaq 9 prej tyre nuk janë realizuar apo 39,1%. Në krahasim me planet tjera, ka më pak synime të planifikuara dhe shumica e tyre janë të përqëndruara te digjitalizimi dhe transparenca, meqë kjo fushë vazhdimisht injorohej në planet paraardhëse. Edhe pse asnjë prej synimeve nuk është realizuar plotësisht, në krahasim me vitet tjera pat një përparim në digjitalizim.

Në fund të vitit 2020 u arrit të krijohet uebfaqja për informimin e grupeve të margjinalizuara, e cila përmban video të shkurtra edukative, për rastet kur mund dhe duhet të kërkohet mbrojtje nga ligji (p.sh. nëse u refuzohet ndihma mjekësore) dhe mënyra për të kontaktuar organizatat që ofrojnë mbulimet e shpenzimeve të avokatëve, noterëve, seancave gjyqësore e kështu me radhë. Për ilustrim, më poshtë është infografiku me të gjitha organizatat, shoqatat, fondacionet dhe institucionet që ofrojnë ndihmë juridike për grupet e margjinalizuara dhe linqe për kalim direkt në faqet e tyre në ueb.

Plani i pestë Kombëtar i Veprimit (2021-2023) është shumë më i detajuar dhe më i zgjeruar se të gjitha planet paraprake, madje u vlerësua nga ekspertët e PQH si plan që “tejkalon ambiciet e planeve të mëparshme, veçanërisht në transparencën e prokurimit publik, ofrimin e shërbimeve publike dhe qasjen në drejtësi për grupet e margjinalizuara”, zbatimi i plotë i të cilit “mund ta pozicionojë Maqedoninë e Veriut si një lider rajonal në Ballkanin Perëndimor në fushat kyçe të qeverisjes së hapur dhe të adresojë prioritetet në procesin e anëtarësimit në BE”.
Ky plan ka gjithsej 143 synime, ndërkaq për realizimin e këtyre synimeve pritet të publikohet raport përfundimtar gjatë vitit 2024. Duhet theksuar se në bazë të këtyre 143 synimeve ka 40 projekte të parapara, por vetëm 23 janë aktive.

Më shumë detaje mund të shihni në infografikun e mëposhtëm, ku janë veçuar disa nga synimet e realizuara:

Ashtu siç mund të shihet në infografik, gjatë kësaj periudhë është digjitalizuar Regjistri Qendror i RMV-së me qëllim të parandalimit të mashtrimeve nga zyrtarë publik ose organizata të rreme. Në këtë platformë janë të qasshme të dhënat që identifikojnë persona fizik dhe juridik të cilët janë të regjistruar në Regjistrin Tregtar.

Gjithashtu, tanimë është e qasshme edhe uebfaqja Indikatorë Financiarë e cila është e paraparë për përdorim nga publiku i gjerë, ku komunat obligohen t’i bëjnë publike të gjitha të hyrat dhe borxhet e tyre për çdo tremujor. Deri tani është arritur të vendosen të dhënat e 42 komunave dhe ende po punohet që deri në dhjetor të jenë të gjitha.

Përfaqësuesit e OJQ-ve të përfshira në Këshillin e PQH-së

Prej vitit 2023, koordinator i ri i rrjetit të organizatave civile në RMV në kuadër të PQH-së është Fondacioni Metamorfozis. Si pjesë e përgatitjes së Planit të Pestë Kombëtar të Veprimit (2021-2023), është formuar Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Partneritet për Qeverisje të Hapur, i cili merr pjesë në formimin e strukturës kombëtare, pra zgjedh përfaqësuesit nga shoqëria civile që marrin pjesë në punën e Këshillit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, me një numër të barabartë përfaqësuesish nga organizatat dhe institucionet e shoqërisë civile.

Dançe Danillovska Bajdevska nga Fondacioni Metamorfozis, thekson për Portalb.mk se një nga përfitimet e ekzistencës së Rrjetit të organizatave të shoqërisë civile është vendosja e një mënyre të strukturuar të pjesëmarrjes së shoqërisë civile në krijimin e Planit Kombëtar të Veprimit për PQH.

“Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile korrespondon me përvojën ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e komunikimit të të gjitha palëve të përfshira dhe forcimin e monitorimit dhe vlerësimit të aktiviteteve. Nga fillimi i vitit 2023, Fondacioni Metamorfozis është koordinator i Rrjetit të Organizatave Civile për PQH.

Bashkëpunimi i Metamorfozis me autoriteteve vendore nëpërmjet Partneritetit për Qeverisje të Hapur, siç shton Danillovska Bajdevska ndihmoi në arritjen e qëllimit, por edhe në dyfishimin e arritjes së indikatorëve të përcaktuar. Duke u mundësuar qytetarëve dhe organizatave qytetare qasje në të dhëna të hapura, siç thotë ajo, mundësohet kontroll më i madh mbi punën e autoriteteve në interes të qytetarëve, gjegjësisht ndikohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Partneriteti për Qeverisje të Hapur ka një strukturë përmes së cilës shoqëria civile përfshihet në të gjitha fazat e bashkëkrijimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të Planeve Kombëtare të Veprimit të PQH… Gjithashtu, është themeluar Këshilli për koordinim dhe monitorim të procesit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, i cili është organ këshillues për PQH-në e RMV-së, për koordinimin dhe monitorimin e zhvillimit dhe zbatimit të planeve të veprimit, me një rol kyç këshillues dhe vendimmarrës në të gjitha fazat e procesit të Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, gjatë gjithë ciklit të planifikimit, në zhvillimin e planeve të veprimit dhe në zbatimin, monitorimin dhe raportimin e planeve të veprimit” thotë Danillovska Bajdevska nga Metamorphosis.

Marina Shaf, zëvëndëspërfaqësuese e MShIA thekson se përfitimi më domethënës i nismës PQH është detyrimi i institucioneve publike për të përfshirë organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët dhe për të bashkëpunuar me to gjatë përgatitjes dhe zbatimit të projekteve. Në vend që të krijojnë synime që bazohen vetëm në mendimet dhe qëndrimet e tyre, thotë Shaf, ata e kanë për obligim të flasin për reforma specifike që plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe kontribuojnë në përmirësimin e punës dhe hapjes së institucioneve publike”.

Ajo veçoi faktin se pavarësisht pengesave, ka përparim të dukshëm, sidomos në vitet e fundit.

“Para kyçjes së temës për të dhëna të hapura në Partneritet për Qeverisje të Hapur, në portalin e të dhënave të hapura kishte 172 grupe të dhënash, ndërsa tani janë 612 grupe të dhënash. Procesi i hapjes së të dhënave në një format të lexueshëm sipas standardit është më i vështirë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore në institucionet, të cilat duhet të bëjnë procesin e mbledhjes dhe publikimit të të dhënave”, shton Shaf.

Interaktivitet i ulët i qytetarëve për shkak të mungesës së besimit

Sipas Darko Antiq, përfaqësues i Shoqatës ESE, që është anëtare e Këshillit, qytetarët nuk kanë motiv të angazhohen në këtë nismë, që e bën më të vështirë punën e organizatave civile.

“Problemi është në kulturën e publikut dhe sektorit publik për bashkëpunim dhe për të kërkuar përgjegjësi. Prandaj, pavarësisht se sa informacion kemi, përderisa nuk kemi kush ta përdorim, nuk do të kemi ndonjë përparim të madh dhe do të ketë besim të ulët në sektorin publik”, theskon Antiq.

Për Portalb.mk, ai shpjegoi pengesat për realizimin e tre iniciativave të planit të fundit, për të cilat ESE ka qenë përgjegjëse: përmirësimit të qasjes në shërbimet shëndetësore, përmirësimit të qasjes në tregun e punës dhe përmirësimit të qasjes në drejtësi për gratë që kanë pësuar dhunë në familje.

“Projekti që ka të bëjë me qasjen në shërbime shëndetësore nuk ka nisur fare edhe pas dy vitesh, për shkak të mungesës së interesimit të nga Ministria e Shëndetësisë për ta udhëhequr atë. Angazhimi për qasje në treg dhe në punë, është i realizuar pjesërisht. Domethënë, Qeveria me një grant të dedikuar për organizatat civile siguroi 10.000 euro për zhvillimin e një platforme për promovimin e transparencës dhe krijimin e një mundësie për pjesëmarrjen e qytetarëve në krijimin e planit operativ vjetor të Agjencisë për Punësim. Platforma është zhvilluar dhe është funksionale, por për shkak të një vendimi politik dhe ndryshimit të menaxhmentit nuk është vënë në funksion. Në drejtim të përmirësimit të qasjes në drejtësi për gratë që kanë pësuar dhunë në familje, disa nga aktivitetet e planifikuara janë realizuar. Ato për të cilat është përgjegjëse MPPS nuk janë zbatuar“, tha ai.

Liljana Jonoski nga Koalicioni Rural, të cilët gjithashtu janë pjesë e Rrjetit të Organizatave Civile dhe Këshillit theksoi se arsyeja më e shpeshtë për mosrealizimin e synimeve është niveli i ulët i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në procesin e zbatimit ose angazhimi i pamjaftueshëm i institucionit në realizimin e synimit.

“Shpesh ndodh që të ketë ndryshime të punonjësve në institucione, kështu që mund të ndodhë që disa përfaqësues nga institucionet janë përfshirë në përcaktimin e synimeve, pastaj të tjerët të përfshihen në zbatimin, të tjerët raportojnë dhe fatkeqësisht kjo e prish vazhdimësinë dhe për këtë arsye realizimi i tyre vonohet”, tha Jonoski.

Ajo shton se “fatkeqësisht, qytetarët nuk janë shumë të gatshëm të përfshihen në procese të tilla, sepse mendojnë se nuk do të pranohen idetë dhe propozimet e tyre, duke qenë se, fatkeqësisht, besimi i qytetarëve tek institucionet është shumë i ulët”.

Por, siç thotë Jonoski, kjo është një nga nismat e rralla ku uleni në të njëjtën tryezë me institucionet, ku diskutoni në detaje dhe ku bashkërisht përcaktoni se çfarë mund të bëjnë institucionet dhe qytetarët së bashku për të përmirësuar cilësinë e jetës në shoqëri.

“Vetëm përmes një pjesëmarrjeje të tillë të drejtpërdrejtë në procese të tilla të hapura mund të fillojë të ndryshojë ndërgjegjësimi i qytetarëve, d.m.th kur ata shohin se ajo që kanë rënë dakord me institucionet zbatohet më pas, qëndrimi i tyre do të ndryshojë në lidhje me përfshirjen në proceset e vendimmarrjes publike. Të gjitha organizatat që patën mundësinë të merrnin pjesë në këtë nismë janë të përfshira në mënyrë aktive në krijimin e çdo PKV pasuese”, nënvizoi Jonoski.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.