Padi për policin e Maqedonisë së Veriut i cili i gjuajti disa dokumente dhe vulën policore në kamionin për mbeturina

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal për një punonjës të Policisë nën dyshimet se ka asgjësuar vulën dhe disa dokumente të klasifikuara policore duke i gjuajtur si mbeturina. I dyshuari është pezulluar nga detyra deri në zgjidhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër Z.N., nëpunës policor në Stacionin Policor me Kompetenca të Përgjithshme pranë SPB Manastir, për shkak të ekzistimit  të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “sekuestrimi ose asgjësimi i vulës apo dokumentit zyrtar”, të dënueshme sipas nenit 390 të Kodit Penal”, raportoi Policia.

Materialet ishin të vendosura në garazhin e Njësisë për Punë të Brendshme në Krushevë. Hedhja e tyre ka ndodhur më 20 shkurt të këtij viti.

“Ka marrë një pjesë të kutive me materiale zyrtare, ndër të cilat edhe dokumente me shkallë të caktuar klasifikimi, dhe i ka hedhur në rimorkio të N.P. “Komuna”, e cila në atë moment po kryente grumbullimin e rregullt të mbeturinave, duke shkatërruar libra apo dosje të organit shtetëror”, njoftoi Policia.

Policia ka publikuar disa pamje nga kryerja e veprës penale.