Padi penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Klubin e Basketbollit Kumanova
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës kundër Viktor Bozhinovskit në cilësinë e anëtarit ekzekutiv të Bordit Drejtues të Shoqatës për veprimtari sportive Klubi i Basketbollit Kumanova 2009 SHA Kumanova për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, transmeton Portalb.mk.
I pandehuri Viktor Bozhinovski, në cilësinë e personit të autorizuar në Shoqatën për veprimtari sportive Klubi i Basketbollit Kumanova 2009 SHA Kumanova, i tejkaloi kufijtë e autorizimeve të tij zyrtare të dhëna nga shoqata, duke vepruar në kundërshtim me nenin 14-e të Ligjit për Sport, si dhe në kundërshtim me marrëveshjet për dhurimin e mjeteve financiare të lidhura midis Stopanska Banka SHA Shkup dhe Çimentores USJE SHA Shkup, si dhurues të donacionit, dhe Shoqatës për veprimtari sportive Klubi i Basketbollit Kumanova 2009 SHA Kumanova, si marrës i donacionit.
Gjegjësisht, i pandehuri, në mënyrë arbitrare, të vetëdijshme dhe me një qëllim të paracaktuar, ka marrë vendim që e ka nënshkruar vetë pa thirrur seancë të Bordit Drejtues të shoqatës, sipas të cilit ka dhënë urdhër për pagesën e mjeteve nga klubi për veten e tij dhe dy persona të tjerë, në bazë të një shpërblimi – bonusi.
Mjetet e paguara kanë ardhur nga donacionet – sponsorizimet e ofruara nga Stopanska Banka ShA Shkup dhe Çimentorja USJE SHA Shkup, përkatësisht nga mjetet e dhëna në formë kuponësh nga Agjencia për Rini dhe Sport, të cilat pa asnjë bazë ligjore nuk lejoheshin të paguheshin në mënyrën e përmendur.
Duke vepruar në këtë mënyrë, i pandehuri Viktor Bozhinovski, me qëllim që të përfitojë dobi të paligjshme materiale për veten dhe personat e tjerë, i ka shkaktuar dëme materiale Shoqatës për veprimtari sportive Klubi i Basketbollit Kumanova 2009 SHA Kumanova në shumën totale prej 4.896.000 denarësh.