Ilir Demiri: Mafia urbane me dhunë privatizon tokë në Spitalin e Tetovës, Sadi Bexheti mohon, autoritetet konfirmuan rastin

Në hapësirat e Spitalit të Tetovës janë privatizuar 97 metra katrorë tokë në vendin ku ndodhet edhe një pjesë e rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Këtë e ka bërë të ditur sot drejtori i Spitalit të Tetovës Ilir Demiri, i cili tha se mafia urbane me ndihmën e udhëheqësisë paraprake të Komunës, duke mos cekur emër konkret se për cilin kryetar bëhet fjalë, ka tendenca të privatizojë dhe tokën deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet dalja spitalit në rrugën “Bllagoja Toska”. Policia konfirmoi rastin, reagoi ish kryetari i Komunës së Tetovës Sadi Bexheti, ndërsa nga Komuna e Tetovës nesër do të dalin me konferencë për shtyp, raporton Poralb.mk.

Demiri tha se parcela prej 97 metra katrorë është e privatizuar në kohën e kaluar prej ish-kryetarit të komunës dhe shefit të kabinetit të kryetarit të komunës. Por ai nuk tregoi se për cilën udhëheqësi flitet.

“I keni edhe vijat atje si është e matur me gjeodezi. Problemi qëndron se kanë privatizuar edhe një pjesë të rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Kjo praktikisht është pronë e RMV në shfrytëzim prej Spitalit të Tetovës, kurse unë jam përfaqësuesi i Spitalit të Tetovës. Problemi qëndron se këto njerëz që merren me mafien urbane kanë tendenca të privatizojnë deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet spitalit dalja në rrugën Bllagoja Toska. Unë ju thirra që t’i informojmë opinionin e gjerë, t’i informojmë qytetarët…. a ju do merrni informacione prej në urbanizëm kush e ka privatizuar, si e ka privatizuar edhe prokuroria organet tjera duhet t’i ndjekin, t’i përcjellin mënyrën e privatizimit si ka ndodh”, tha Demiri.

Ai tha se i kanë informuar institucionet kompetente.

“Institucionet për fat të mirë nuk u kanë dhënë leje dhe nuk u kanë mundësuar, por ato mendohen me dhunë ta realizojnë”, tha Demiri.

Çështja me rrugën ai tha se është në shqyrtim e sipër në një të ardhme duhet të bëhet një lentë plotësuese që të mund të ketë kyçje.

“Domethënë duhet të shtohet edhe ura edhe të bëhet një lentë plotësuese. Domethënë në qoftë se ne kemi qasje në rrugën Bllagoja Toska, në një të ardhmen do të realizohet edhe ajo, por duhet të plotësohen kriteriumet urbanistike”, tha Demiri.

Reagoi Sadi Bexheti: Nuk kam përgjegjësi

Në lidhje me rastin ka reaguar ish kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. Ai thotë se rasti nuk ka të bëjë asgjë me të dhe se përse është përmendur.

“Këto janë gjëra procedurale dhe ligjore, nuk ka nevojë për populizëm në këtë kohë, propagandë pa nevojë për arsye se këtë punë, pasi unë jam fajtor dhe Alajdini, nuk ka problem, do të vijë koha do e shohim, do i shohim procedurat ligjore dhe ligjin në fuqi që është dhe që ka qenë edhe a kam faj unë diçka a kam ndërmarrë diçka në këtë tokë që bëhet fjalë për shtëpi 200 metra katrorë. Absolutisht nuk kam çfarë të flas se në kohën time nuk ka pasur asgjë, nuk kam pasur të drejtë as të shes, as të blej tokë, as të bëj privatizim. Drejtori nuk i ka të qarta procedurat ligjore, nuk e din se çka është privatizimi dhe çka prona private, plani detal urbanistik dhe leja e ndërtimit”, tha Bexheti.

Ai mes tjerash tha se toka është blerë në vitin 2021 që nuk ka qenë ai në krye të Komunës.

“Është blerë pronë private prej dikujt tjetër. Nuk e di kush është pronari dhe as që e di se prej kujt e ka blerë Alajdini”, shtoi Bexheti.

Policia konfirmoi rastin

Nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës konfirmuan rastin për Portalb.mk.

Me datë 06.01.2024 në ora 12:15 në SPB-Tetovë, punonjësi përgjegjës në shërbimin teknik në Spitalin klinik-Tetovë N.S. (53) nga Sellca e Tetovës ka raportuar ankesë kundër A.H.(49) nga Reçica e Vogël e Tetovës, pasi të njëjtën ditë në ora 11:00 në Spitalin klinik-Tetovë kanë angazhuar punëtorë me eskavator në lidhje me ndërtimin e një muri, ku ësht shfaq i akuzuari A.H. dhe i ka penguar me punën e tyre sepse u kishte thënë se ky vend ishte i tij dhe se kishte dokumentet e duhura për të. Sipas raportit, Spitali klinik i Tetovës ka leje ndërtimi dhe ka kërkuar që personi të paralajmërohet që të mos pengojë punëtorët dhe për çdo mosmarrëveshje të adresohet përmes institucioneve kompetente.

Po ashtu me datë 09.01.2024 në ora 15:30 A.H.(49) nga Reçica E Vogël e Tetovës ka raportuar në SPB- Tetovë uzurpim të patundshmërisë nga Spitali klinik Tetovë, i cili me datë 05.01.2024 ka kryer punë ndërtimore në tri parcela kadastrale në rrugën 29-nëntori në Tetovë pronar i së cilës ishte ai, ndërsa një nga parcelat kadastrale në të cilën kryheshin punimet ndërtimore ishte në pronësi të RMV-së. Po ndërmerren masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit.

Nga Prokuroria Publike na njoftuan se deri në këto momente në Prokurorinë e Tetovës nuk ka të paraqitur diçka për këtë rast.

Nga Komuna e Tetovës na njoftuan se nesër kryetari i komunës, Bilall Kasami do të flasë para mediave me dokumente për rastin në fjalë pasi është në Austri.