BDI pranon të mos jetë në qeverinë që do të formohet pas ndryshimeve kushtetuese

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pranon që të mos jetë në qeverinë e cila do të formohet pas votimit dhe hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit, transmeton Portalb.mk.

“BDI është e gatshme të mbështesë një Qeveri pa BDI deri në zgjedhje, nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie. E ardhmja evropiane e qytetarëve është e para”, njoftoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani

Ky reagim nga BDI erdhi pasi kryetari i VMRODPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit të sotëm me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në.

Në takimin e sotëm, Kovaçevski i ka propozuar Mickoskit të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej Qeveri, në të cilat nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo Qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Të njëjtin propozim, tha Mickoski do ta pranonte por pa BDI-në.

“VMRO-DPMNE është e gatshme të marrë pjesë në një Qeveri të tillë, ku zgjedhjet do të përgatiten nga një qeveri teknike njëqind ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, dhe ndryshimet e mundshme kushtetuese të fillojnë të hyjnë në fuqi ditën kur do të fillojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në kuadër të BE-së nga parlamentet e 27 vendeve anëtare”, tha Mickoski.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.