Nxënësve në Tetovë ju mungojnë librat, MASH dhe Komuna e Tetovës grinden

Pushteti Lokal në Komunën e Tetovës duet të jetë më tepër azhurmues në punën e saj, veçanërisht gjatë përmbushjes së detyrimeve në fushën e arsimit dhe në vend të menaxhimit të udhëheqë politikë ditore përmes konferencave për shtyp dhe kumtesave të mbushura me kritika të pabaza dhe informacione të rreme, të fokusohet më shumë në nevojat e nxënësve. Kështu i janë përgjigjur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës Komunës së Tetovës pasi kjo e fundit dje përmes një konference për shtyp kërkoi nga MASH që të sigurojë librat që mungojnë në këtë komunë e që në numër sipas tyre janë mbi 45 mijë. Se në Tetovë mungojnë libra, e pranon edhe vetë Ministria, shkruan Portalb.mk.

Ministria thekson se në Tetovë mungojnë tekste shkollore, ndërsa në fondin ekzistues ka edhe tekste të dëmtuara, për faktin se shkollat në territorin e saj ose nuk kanë paraqitur fare ose kanë dorëzuar informacione të pasakta për nevojat reale konform numrit të nxënësve dhe nuk kanë i kanë paraqitur tekstet shkollore të dëmtuara të cilat kanë qenë  të detyruar t’i paraqesin konfrom udhëzimeve me të cilat ata janë të njohur.

“Më 29 prill të këtij viti MASH me shkresë ka njoftuar të gjitha komunat se nevojiten informacione për numrin e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor, me afat për dorëzimin deri më 12 maj. Nga shkollat në Tetovë nuk ka pasur asnjë reagim, ndërsa pas disa rikujtimeve nga shërbimet e Ministrisë së Arsimit, nuk kanë dhënë informata deri në mesin e qershorit. Përkundër mungesës së përpikmërisë nga ana e shkollave të Tetovës, MASH  menjëherë vazhdoi me dorëzimin, duke dorëzuar 409.458 tekste shkollore nga klasa e parë deri në të pestën, dhe së shpejti me dorëzimin e 48.254 teksteve shkollore për klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë”, thanë nga MASH.

Ata thonë se është e pandershme  të fajësosh Ministrinë, kur papërgjegjshmëria dhe pakujdesia e komunës  janë të dukshme.

Dje Njësia e Arsimit nga Sektori i Veprimtarisë Komunale i Komunës së Tetovës përmes një konference për shtyp reaguan për mungesën e librave në këtë komunë, që sipas tyre mungojnë mbi 45 mijë libra, 35 mijë në shkollat fillore dhe 10 mijë në shkollat e mesme. Ata kërkuan që MASH të merr përgjegjësi për këtë dështim.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar për të siguruar librat shkollorë të premtuar për nxënësit e Tetovës. Situata e mungesës së teksteve shkollore në këtë komunë është një pasqyrë e qartë e mangësisë së kujdesit dhe përgjegjësisë së kësaj ministrie. Nxënësit po përballen me vështirësi të pashembullta për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre themelore, ndërsa MASH duket se është në një gjendje të përgjumur. Kjo mungesë e theksuar e teksteve shkollore është një dështim i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përmbushur premtimet e tyre ndaj arsimit”, deklaruan nga Sektori për Veprimtari Publike i Komunës së Tetovës.

Ata kërkuan që MASH të marrë përgjegjësi për këtë dështim dhe të ndërhyjë menjëherë për të siguruar librat e nevojshëm shkollore për nxënësit e Tetovës.

Për mungesën e librave, para tre ditësh nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” protestuan, megjithatë edhe pse njoftuan se protesta do të vijonte edhe ditët në vijim, ajo u ndërpre ditën e nesërme.

Ministri Shaqiri ka premtuar se vonesa nuk do të jetë si vitin e kaluar shkollor e cila, siç tha, “nuk ka qenë i lehtë” sepse ka pasur programe të reja mësimor për katër klasa.

Ndryshe, kjo nuk është hera e vetme që MASH dhe Komuna e Tetovës përplasen. Për shkak të përplasjeve mes komunës dhe drejtoreshës së Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, në korrik të vitit 2023, Ministria e Arsimit, ia mori kompetencat komunës së Tetovës për 12 muaj për funksionimin e kësaj shkolle. Paraprakisht, pas shkarkimit të drejtoreshës së këtij gjimnazi në vitin 2022, MASH në korrik të vitit 2022 ia mori Komunës së Tetovës kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit në këtë shkollë.