Mosreagimi kushton shtrenjtë

Para disa ditësh, në Koçan u vra një grua nga ana e një burri. Vrasësi i dyshuar e qëlloi me thikë plot 42 herë të vrarën. Paraprakisht e vrara disa herë e ka paraqitur rastin në polici se ka qenë e shantazhuar nga i dyshuari. Por megjithatë, viktima ka mbetur e pambrojtur dhe në fund e ka humbur edhe jetën.

Në një rast të ngjashëm në Kumanovë para një kohe, bashkëshorti e vrau bashkëshorten dhe nënën e saj. Të dy gratë kishin paraqitur paraprakisht dhunuesin në polici, por sërish, si viktima, nuk e kishin fituar mbrojtjen e duhur. Këtë mungesë të mbrojtjes e paguan me jetët e tyre, ashtu si edhe 22 gra të tjera që janë vrarë në RMV mes viteve 2017-2020. 22 raste te femicidit. 22 raste kur gratë janë vrarë vetëm pse janë gra. Femicidi është forma kulminante e diskriminimit ndaj grave, ku ato çmimin e diskriminimit e paguajnë me vetë jetën e tyre. E drejta e jetës është e drejta bazike e njeriut dhe shteti është garantues i kësaj të drejte. Kushtetuta jonë thotë që jeta e njeriut është e pacënushme, e megjithatë, mosreagimi në kohë i organeve kompetente shkakton humbjen e panevojshme të jetës së shumë grave.

Ne kemi ligje mjaft të mira për ti mbrojtur të drejtat e njeriut e për të siguruar barazinë gjinore. Kemi edhe ligje që e mbrojnë viktimën dhe përcaktojnë një sërë masash që duhet të merren për këtë mbrojtje, në mënyrë që të mos ketë vepra penale si këto. E megjithatë, zbatimi në praktikë i ligjeve që mbrojnë viktimat lë shumë për të dëshiruar. Viktimat e dhunës në bazë gjinore nuk kanë mbrojtjen e duhur e as opsionet e duhura për t’u larguar nga dhunuesit. Askush nuk merret me to pasi të kenë dalë nga stacioni policor, askujt nuk i bëhet vonë se ku shkojnë ato dhe a janë më tej të rrezikuara. Askush nuk kujtohet se si do të shkojë në shtëpi gruaja që e ka paraqitur burrin për dhunë në familje. Askush nuk do t’ia dijë se çfarë do të ndodhë me të. E pastaj flasim për atë se ka numër të errët të kriminalitetit e se krimet nuk paraqiten në polici. E çfarë ndodh kur paraqiten? Asgjë me rëndësi, përveç që gratë e humbin jetën e tyre.

Në mënyrë që shteti vërtet të garantojë të drejtën e jetës, institucionet duhet të jenë shumë vigjilente në këto raste dhe të mos lejojnë që viktimat të mbesin pa mbrojtje. Jo vetëm tek krimet në bazë gjinore, por edhe te krimet tjera, si që janë krimet e urrejtjes, viktimat përballen me presion të madh nga dhunuesit, gjë që shkakton pasoja të rënda tek ato. Nuk mjafton që organet shtetërore vetëm verbalisht t’i inkurajojnë viktimat ta paraqesin dhunën. Ato duhet të angazhohen edhe esencialisht për të dhënë mbrojtjen adekuate për viktimat dhe për ti vendosur ato në ambiente të sigurta ku ato mund të përballen pa pasoja me proceset gjyqësore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.