Mbi 33 mijë libra mungojnë në shkollat e Tetovës, “ministri nuk e mbajti premtimin”

Shkollat në Tetovë kanë mungesë të mbi 33 mijë librave, informojnë nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës duke akuzuar Ministrinë e Arsimit se nuk ka arritur të sigurojë tekstet për nxënësit, ndërkaq prindërit ankohen se fëmijët e tyre nuk kanë prej ku të mësojnë, transmeton Portalb.mk.

Problemi me mungesën e teksteve shkollore nuk u zgjidh në Tetovë as gjatë këtij fillim të vitit shkollor.

Prindërit ankohen që fëmijët e tyre nuk i kanë të gjitha tekstet shkollore edhe pse kanë kaluar dy javë që nga fillimi i vitit shkollor.

“Kjo nuk është normale mos të kenë libra, është e papranueshme që ky problem kaq gjatë të mos zgjidhet, djalin e kam klasa e 6 dhe i mungojnë librat”, tha një prind.

“Jo nuk i ka të gjitha librat, kanë mungesë, nuk e dimë edhe ne kur do të zgjidhet, kështu nuk shkon”, tha një prind tjetër.

Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës bëjnë të ditur se sipas të dhënave nga tabelari që ua kanë dërguar shkollave për plotësim, rezulton se mungojnë në total 33,642 tekste shkollore.

“Në gjuhën shqipe mungojnë 28.484, në gjuhën maqedonase 4.968 dhe në gjuhën turke 190 tekste shkollore”, tha Validin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.

Ai thotë se ministri i Arsimit dhe Shkencës doli me deklaratë ku premtoi se të gjitha shkollat do të furnizohen me tekste shkollorë në fillim të vitit shkollorë 2023/2024, mirëpo ai premtim nuk u realizua.

“Në krahasim me vitin shkollor 2022/2023 vetëm në shkollat fillore të Komunës së Tetovës mungonin mbi 20 mijë libra ndërsa në shkollat e mesme mungonin mbi 10 mijë libra, më konkretisht te shkollat e mesme profesionale nuk kemi libra për lëndët profesionale. Edhe ato libra që janë të paktë ato janë shumë të dëmtuara dhe nuk mundë të përdoren”, tha Ademi i cili theksoi gabimet në përkthimet e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, duke akuzuar ministrat shqiptar.

Për mungesën e librave në shkollat fillore, Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) ka miratuar vendim që të dorëzojë padi për mbrojtje nga diskriminimi me interes publik kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar në lidhje me padinë e paralajmëruar për mungesën e librave shkollor. Nga kjo Ministri thonë se përgatitja e teksteve shkollore është proces i ndërlikuar i cili varet nga shumë faktorë, të pavarur nga ndikimi sistemik.

Nga ana tjetër, Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri siguroi se deri në fund të shtatorit do të dorëzohen të gjithë librat për të gjitha klasat në arsimin fillor gjegjësisht për klasën e tretë dhe të gjashtë që për shkak të programeve të reja mësimore po vonon shpërndarja e librave.

Konfirmimi se nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta nuk do të marrin tekste të reja sipas Konceptit të ri për arsimin fillor, erdhi në fund të gushtit nga përgjegjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ndryshe, fëmijët e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta, materialet mësimore të të cilëve ndryshoheshin, nuk kishin libra vitin e kaluar shkollor. Në vend të librave, Ministria e Arsimit, së bashku me Byronë për zhvillimin e arsimit, edhe atëherë përgatitën materiale për të ruajtur vazhdimësinë e teksteve.

Për disa klasa vonesa e teksteve vitin e kaluar zgjati deri në gjysmëvjetorin e dytë.