Xhaferi: Maqedonia e Veriut nga fundi i janarit me qeveri teknike para zgjedhjeve

Nëse 8 maji është datë e pranueshme për mbajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, atëherë zgjedhjet do të shpalleshin më së voni më 28 shkurt dhe qeveria teknike të formohet deri më 28 janar, tha sot kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, ndonëse ende nuk është përcaktuar data e saktë e zgjedhjeve, partitë këto ditë gjithnjë e më shumë po përmendin 8 majin si datë rreth së cilës mund të arrijnë konsensus. Marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet së shpejti, në dhjetor, në një takim liderësh që kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se do ta thërrasë.

Xhaferi tha sot se ende nuk ka informacione se liderët e partive janë marrë vesh për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi, tha për Studio 10 në TV 24 se 8 maji është opsion për mbajtjen e zgjedhjeve edhe pse bie ditën e mërkurë.

“Është termini i fundit dhe më i hershëm për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe kështu do të qëndrojmë në kuadër të zgjedhjeve të rregullta”, tha Grubi.

Nëse zgjedhjet mbahen në një datë më 8 maj, si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, qeveria teknike duhet të zgjidhet në fund të janarit, që do të thotë se qeveria teknike duhet të zgjidhet më 27-28 janar, tha Xhaferi.

Nëse zgjedhjet mbahen më 8 maj dhe në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore, inaugurimi i Presidentit të Shtetit mund të bëhet më 12 maj, seanca themeluese e Kuvendit do të mbahej 20 ditë pas zgjedhjeve, gjegjësisht 28 maj dhe qeveria e re duhet të zgjidhet deri në fund të qershorit 2024.

zgjedhje, 2024, parlament, president
Infografik: Datat e mundshme të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale për vitin 2024

Kujtojmë se kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi më 23 nëntor se, takimi  me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve do të mbahet në Kuvend në dhjetor.

Në lidhje me atë nëse LSDM dhe BDI do të kenë listë të përbashkët, ai tha se është diçka që është vendim i partive politike dhe i nënshtrohet marrëveshjeve të koalicionit, andaj për momentin, shtoi ai, nuk mund të flasim me siguri për një gjë të tillë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.