Paralajmërohen dy rrethrrotullime në bulevardin Industrial në Tetovë për të ulur rrezikun në trafik

Rruga Industriale apo bulevardi V.S Bato në Tetovë vijon të mbetet ndër rrugët më të rrezikshme në Tetovë. Nxënësit e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” janë më të rrezikuar nga shoferët e pandërgjegjshëm ndërsa aty së shpejti pritet të hapet edhe çerdhja e re. Për të ulur rrezikun e qarkullimit në këtë pjesë, Komuna e Tetovës paralajmëroi dy rrethrrotullime të reja, shkruan Portalb.mk.

Për këto dy rrethrrotulllime, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se zgjidhja fillestare nuk ka qenë e përshtatshme për të marrë pëlqim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe është kthyer prapa në rishqyrtim.

“Gjithashtu për këtë isha këto ditë në komunikim me kompaninë që bën planifikimin dhe kompaninë që bën projektimin e këtyre dy rrethrotullimeve dhe mbeti që të gjejnë zgjidhje përfundimtare dhe të mund të japim leje dhe të mund të ndërtohet. Për njërin nga këto rrethrrotullime veç më kemi edhe premtim për donacion nga kompani private dhe tjetrin sigurisht që do ta ndërtojmë me mjete të komunës”, tha Kasami.

Ai shtoi se për këto dy rrethrrotullime janë në fazën e gjetjes edhet të zgjidhjes urbanistike dhe të komunikacionit që e njëjta pastaj të mund të realizohet.

Ndërkaq i pyetur se kur do të realizohen në terren, ai tha se “me përmirësimin e kushteve do mund të realizohet së paku njëri nga këto besoj në pranverë dhe në periudhë të shpejtë edhe tjetri, varësisht nga procedurat e planifikimit dhe të tenderimit të projektit”.

Shkolla fillore "Kirili dhe Metodi" dhe çerdhja afër bulevardit "V.S. Bato" (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” dhe çerdhja afër bulevardit “V.S. Bato” (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në komunikacion, shkurt të vitit 2023 Komuna e Tetovës deklaroi se “në program për vitin 2023 është paraparë me projekt ndarja fizike midis dy drejtimeve për bulevardit V.S. Bato me parmakë”.

Megjithatë, në terren ende nuk ka punime konkrete. Nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë se kur do bëhet kjo.

Përgjatë këtij bulevardi gjendet shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”, Xhamia e Rinisë dhe së shpejti pritet të hapet edhe çerdhja afër shkollësKomuna e Tetovës në vitin 2022 në këtë aks rrugor vendosi pengesat vibruese, vendet për kalimin e këmbësorëve dhe semaforin nën shkollën fillore. Megjithatë vetëm kjo masë nuk mjafton.

Kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh, ku ka pasur edhe viktima si dhe protesta që të ndërmerren më shumë masa sigurie nga autoritetet.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë nuk kanë të dhëna të mbledhura për atë se sa aksidente ka pasur në tre vitet e fundit në rrugën industriale, por theksojnë se në qytet për tre vitet e fundit ka pasur mbi një mijë aksidente, ku përfshihen edhe aksidentet në këtë rrugë.