Ka mbetur në “harresë” të Komunës ndarja me parmakë e bulevardit “Industrial” në Tetovë

Rreziku për këmbësorët në bulevardin V. S. Bato (Industrial) në Tetovë vazhdon të mbetet i lartë, ndërkaq ndarja me parmakë midis dy drejtimeve nuk është bërë ende. Pavarësisht se Komuna e Tetovës në fillim të vitit paralajmëroi se ndarja është e paraparë të bëhet vitin 2023, më pak se dy muaj na ndajnë nga Viti i Ri dhe punë në teren nuk ka ende. Komuna e Tetovës hesht në pyetjet e Portalb.mk.

Ndarja jo mirë e theksuar midis dy drejtimeve të bulevardit “Industrial” bën të mundur që vozitësit e pandërgjegjshëm të kalojnë nga njëri drejtim në tjetrin midis bulevardit, andaj ka rrezik potencial për këmbësorët por edhe veturat. Portalb.mk në disa raste ka qenë dëshmitar okular kur kjo ka ndodhur në praktikë. Ende më shqetësues është fakti se përgjatë kësaj rruge ndodhet një nga shkollat fillore të qytetit ku ka qarkullim të madh të fëmijëve.

Një nga vendet ku veturat kalojnë ilegalisht përmes bulevardit "V.S. Bato" (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Një nga vendet ku veturat kalojnë ilegalisht përmes bulevardit “V.S. Bato” (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në komunikacion, në shkurt të vitit 2023 Komuna e Tetovës deklaroi se “në program për vitin 2023 është paraparë me projekt ndarja fizike midis dy drejtimeve për bulevardit V.S. Bato me parmakë”.

Megjithatë, në terren ende nuk ka punime konkrete. Nga Komuna e Tetovës nuk tregojnë se kur do bëhet kjo.

“Në lidhje me pyetjen tuaj për vendosjen e rrethojës metalike në bulevardin “V. S. Bato”, dëshirojmë t’ju informojmë se kjo është paraparë në Programin vjetor për rregullimin e tokës ndërtimore. Megjithatë, duhet të theksojmë se nuk është përfshirë në Planin për furnizime publike, dhe për këtë arsye nuk është ndjekur procedura për furnizim publik”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Komuna e Tetovës paralajmëroi edhe nënkalim për këmbësorët në këtë bulevard, por për këtë nga Komuna nuk na u përgjigjen se deri ku është ecuria e projektit.

Përgjatë këtij bulevardi gjendet shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”, Xhamia e Rinisë dhe së fundmi pritet të hapet edhe çerdhja afër shkollësKomuna e Tetovës në vitin 2022 në këtë aks rrugor vendosi pengesat vibruese, vendet për kalimin e këmbësorëve dhe semaforin nën shkollën fillore. Megjithatë vetëm kjo masë nuk mjafton.

Bulevardi "V.S. Bato" (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bulevardi “V.S. Bato” (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kjo rrugë vazhdon të mbetet ndër më të rrezikshmet ku aksidentet ndodhin shpesh, ku ka pasur edhe viktima si dhe protesta që të ndërmerren më shumë masa sigurie nga autoritetet.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë nuk kanë të dhëna të mbledhura për atë se sa aksidente ka pasur në tre vitet e fundit në rrugën industriale, por theksojnë se në qytet për tre vitet e fundit ka pasur mbi një mijë aksidente, ku përfshihen edhe aksidentet në këtë rrugë.

SPB Tetovë njofton se gjatë vitit 2021 kanë ndodhur gjithsej 403 aksidente trafiku, prej të cilave 12 me lëndime të rënda trupore, 140 me lëndime të lehta dhe 229 vetëm me dëme materiale, si dhe në aksidente janë regjistruar edhe 2 viktima në njerëz.

“Gjatë vitit 2022 kanë ndodhur gjithsej 378 aksidente trafiku, prej të cilave 29 me lëndime të rënda trupore, 138 me lëndime trupore dhe 209 aksidente me dëme materiale, si dhe në aksidente janë regjistruar edhe 2 viktima në njerëz”, tha zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Ndërsa në periudhën nga janari deri më 31 tetor 2023 Rexhepi sqaroi se janë regjistruar gjithsej 335 aksidente trafiku, prej të cilave 20 kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore, 138 me lëndime të lehta trupore dhe 177 aksidente vetëm me dëme materiale, ndërsa këtë vit në në rrugët e qytetit nuk ka pasur as një viktimë njerëzore.

Kujtojmë që ndarje fizike mes bulevardeve ka në bulevardet “Bllagoja Toska”, “Ilindenit” dhe “Iliria”.