Viktima e nëntë nga ethet e Nilit Perëndimor në RMV, pacienti qëndroi 28 ditë në Klinikën Infektive
Një person tjetër ka vdekur si pasojë e sëmundjes së shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor, njoftoi sot drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana. Bëhet fjalë për një pacient 66-vjeçar nga Kumanova, i cili ishte shtruar në Klinikë para 28 ditësh me pasqyrë të rëndë klinike dhe ishte vendosur në ventilim mekanik. Siç informoi drejtori Cana, pacienti kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese, transmeton Portalb.mk.
Ky është rasti i nëntë fatal si pasojë e sëmundjes së shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor.
“Për fat të keq, gjatë fundjavës është regjistruar edhe një rast tjetër fatal te një pacient me formë të konfirmuar neuroinvazive të etheve të Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një pacient 66-vjeçar, i cili ishte i shtruar në Klinikë gjithsej 28 ditë dhe u trajtua në Repartin e Mjekimit Intensiv. Pacienti ishte njëri nga dy pacientët që ishin në gjendje më të rëndë, me pasqyrë më të rëndë klinike dhe ishte në ventilim mekanik në qendrën respiratore”, deklaroi Cana.
Sipas tij, aktualisht në Klinikën për Sëmundje Infektive janë të shtruar 11 pacientë, njëri prej të cilëve ka pasqyrë më të rëndë klinike. Që nga fillimi i paraqitjes së formave të rënda të etheve të Nilit Perëndimor, në Klinikë, siç njoftoi drejtori, janë pranuar gjithsej 66 pacientë.
Pranimi i fundit i një personi të sëmurë nga ethet e Nilit Perëndimor në Klinikën Infektive ishte të shtunën, më 19 shtator, informoi drejtori.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.