Nuk ka asgjë konkrete për rikonstruimin e rrugës “Marshall Tito”, premtim elektoral i kryetarit të Strugës
Rikonstruimi i rrugës “Marshall Tito” në Komunën e Strugës është një ndër premtimet parazgjedhore që tani për tani vazhdojnë të mbeten vetëm në letër. Nga inspektimi i situatës në terren nuk mundet të thuhet se po bëhet diçka konkrete në realizimin e këtij premtimi. Përderisa nga Komuna e Strugës nuk morëm përgjigje nëse të paktën është përgatitur dokumentacion teknik për rikonstruimin e rrugës në fjalë, nga partia ASH dega Strugë, shprehen pesimistë se ky premtim do të realizohet, shkruan Portalb.mk.

Rikonstruktimi i rrugës “Marshall Tito”, segmenti rrugor prej te ‘kanali’ deri te rreth-rrotullimi në hyrje të qytetit, ishte një ndër premtimet e projekteve infrastrukture në programin zgjedhor Agjenda e Blertë (Faqe 48) nga kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramis Merko.
Planifikohet të rikonstruktohet sipërfaqe prej 730 m dhe parashikohet: asfaltim, ndriçim publik, rrejt kanalizimi, kanalizim atmosferik, korsi për biçikleta shtigje këmbësorësh. Në programin zgjedhor, përveç emrit të projektit dhe vizualizimit të premtimit në fjalë, nuk jepen të dhëna të rëndësishme si për shembull kur është paraparë afati i punimeve, sa buxhet do të ndahet për projektin në fjalë, si do të sigurohet buxheti e të tjera.
Sidoqoftë, rikonstruimi i kësaj rruge përbën një projekt të rëndësishëm për qytetit sepse paraqet dhe një nga rrugët hyrëse në qytetin e Strugës kur vjen nga Shqipëria.
Përderisa nga Komuna e Strugës nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion me karakter publik se deri ku është realizimi i premtimit në fjalë, ekipi Portalb.mk inspektoi situatën në terren të rrugës “Marshall Tito”. Aktualisht në terren nuk kishte ndonjë shenjë që rruga është rikonstruar ose se po bëhen gati fillime punimesh në këtë rrugë. Në fotografitë më poshtë ju paraqesim gjendjen aktuale të rrugës “Marshall Tito”, segmenti rrugor prej te ‘kanali’ deri te rreth-rrotullimi në hyrje të qytetit.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren të rrugës “Marshall Tito”, segmenti rrugor prej te ‘kanali’ deri tekrreth-rrotullimi në hyrje të qytetit, Portalb.mk konkludon se ky premtim infrastrukturorë i bërë në programin zgjedhor Agjenda e Blertë, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, ende nuk është realizuar.