Padi kundër kryetarit të Karposhit: Nuk ka mundësuar qasje për personat me pengesa në Zyrën e Deputetëve

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) do të dorëzojë kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse kundër kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, pasi që nuk i ka realizuar rekomandimet e tyre për të parandaluar diskriminimin e personave me pengesa në lidhje me qasjen deri te Zyrat për Komunikim të Qytetarëve me Deputetët e zonës, shkruan Portalb.mk.

Në bazë të hulumtimit të Portalb.mk të publikuar më 24 shtator të vitit 2022, në dhjetor të vitit 2022, KPMD miratoi mendim, nëpërmjet të cilit konstatoi se Komuna e Karposhit ka kryer diskriminim të vazhdueshëm ndaj qytetarëve me pengesa, banorë të kësaj komune, duke shkelur njëkohësisht dhe Kushtetutën e shtetit. Gjegjësisht, ashtu siç raportoi Portalb.mk, zyrat ndodhen në mbikalimin “Vllajko”, ku ashensorët dhe shkallët elektrike nuk punojnë.

Pas konstatimit të diskriminimit, Komisioni i ka dhënë Komunës së Karposhit dy rekomandime me afate konkrete:

  1. Komuna e Karposhit të përgatisë plan aksional me specifikime të aktiviteteve konkrete, afate kohore dhe implikime financiare për sigurimin përshtatjes përkatëse e cila do t’u mundësojë qasje të personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar të veprojë në pajtueshmëri me këtë rekomandim dhe ta dorëzojë planin aksional me shkrim ose formë elektronike deri te Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të mendimit.
  2. Komuna e Karposhit t’i mbarojë të gjitha masat e domosdoshme dhe aktivitetet për sigurimin e përshtatjes përkatëse me të cilën do të mundësohet qasja e personave me pengesa deri te zyrat për kontakt të qytetarëve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Komuna e Karposhit është e obliguar që të veprojë sipas këtij rekomandimi dhe ta mënjanojë shkeljen e të drejtës në afat prej 180 ditëve nga pranimi i mendimitdhe për atë ta njoftojë Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Megjithatë, ka kaluar dhe afati i paraparë prej 180 ditëve, gjegjësisht gjashtë muajve, por Komuna e Karposhit ende nuk e kanë mënjanuar diskriminimin.

Nga KPMD thonë se për këtë, ata kanë filluar veprime për dorëzimin e kërkesës për ngritjen e procedurës kundërvajtëse, kundër personit përgjegjës, që në këtë rast është kryetari i Komunës.

“Ju informojmë deri në datën e dorëzimit të kësaj përgjigje, Komisioni nuk ka marrë njoftim me shkrim për veprim ndaj rekomandimeve nga personi të cilit i janë dorëzuar rekomandimet, për çka, sipas Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi janë filluar veprimet për dorëzimin e kërkesës për ngritjen e procedurës kundërvajtëse”, thonë nga Komisioni.

Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Komuna e Karposhit, por megjithatë prej atje nuk kanë dërguan përgjigje. Për këtë Portalb.mk dërgoi kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, nëpërmjet të cilës kërkojmë që të na dorëzohet kopja e planit aksional për zbatimin e rekomandimeve, por edhe të na jepen informata shtesë për aktivitetet e komunës për mënjanimin e diskriminimit.

Paraprakisht, nga kjo komunë kanë deklaruar se do t’i realizojnë rekomandimet e KPMD-së për rastin në fjalë, por diçka e tillë, sipas verifikimeve të Portalbit ende nuk ka ndodhur.

Herën e fundit, ekipi i Portalb.mk, vendin e vizitoi më 23 maj, por ashtu sikur herën e parë, edhe gjatë kësaj vizite dera e Zyrës ishte mbyllur. Për ironi, krahas kësaj zyre, mbi urë, ndodhet edhe “Info Zyra për Ndihmë dhe Kujdes në Shtëpi”. Dyert e kësaj zyre janë të mbuluara me fotografi të personave të moshuar të cilëve u ndihmojnë infermieret dhe stafi mjekësor.

“Kujdes për persona të moshuar në kushte të shtëpisë në Komunën Karposh. Pasi që vetëm shtëpia është shtëpi”, thuhet në mbishkrime.

Por, këto mbishkrime s’kanë mundësi t’i shohin personat e moshuar dhe ato me pengesa pasi që ndodhet në urën me 30 shkallë, ku nuk punon ashensori e as shkallët elektrike.

Sipas storjes së Portalb.mk, qytetarët duhet t’i kërkojnë gjithandej të punësuarit e Zyrave për Kontakt me Qytetarët, të cilët janë të angazhuar në orar të caktuar që të sigurojnë komunikim të deputetëve dhe qytetarëve. Portalb.mk i vizitoi 4 zyra në lokacione të ndryshme, gjegjësisht Tetovë, Çair, Karposh dhe Shuto Orizare për të shikuar nga afër si funksionojnë. Sipas asaj që pamë në terren, zyrat në fjalë nuk e respektojnë orarin e punës, ndërkaq disa prej tyre as nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike. Qytetarët e kanë vështirë të kontaktojë me përfaqësuesit e deputetëve të cilët do të duhet t’i dëgjojnë hallet dhe nevojat e tyre, e që më pas të njëjtat të dorëzohen në Kuvend për të gjetur zgjidhje të caktuar.