Nuk e përjashtoj mundësinë që të jem kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës, deklaroi Limani
Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini nga radhët e VLEN, Fatmir Limani nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë kandidat për kryetar të komunës së Kërçovës në zgjedhjet lokale në vjeshtë, përcjell TV21. Limani tha se emri i tij është pjesë e anketave që po zhvillohen.
“Emri im është duke u anketuar, është pjesë përbërëse e anketave nga pala tjetër e opozitës. Nuk e përjashtoj këtë mundësi. Të gjithë e dimë se as Kërçova dhe as një komunë tjetër nuk janë dëshirë e jona personale, por është një realitet i bazuar mbi kërkesën dhe nevojat e qytetarëve. Ashtu siç të vendoset, ashtu edhe do të prononcohemi në fund”, the Limani.
Në krye të Komunës së Kërçovës është Fatmir Dehari, kuadër i BDI-së. Koalicioni Fronti Europian që udhëhiqet nga BDI-ja akoma nuk e ka shpalosur kandidatin për Kërçovën, ndërsa kandidaturë të pavarur ka shpallur Shkodran Alili.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në muajin qershor kishte deklaruar se kandidati i VLEN-it do të jetë në balotazh për zgjedhjet lokale në Kërçove.
Ndryshe, në fillim të muajit nëntor, opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jenë së bashku me zgjedhjet lokale. Kryeministri Hristijan Mickoski në maj të vitit 2024 refuzoi këtë ide.
Zgjedhjet e fundit të njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultate, Koalicioni VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, koalicioni i LSDM-së 18 deputetë, koalicioni Fronti evropian 18 deputetë, 14 deputetë fitoi koalicioni VLEN dhe nga gjashtë deputetë “Levica” dhe ZNAM.