Ahmeti e pranoi propozimin e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme, Mexhiti me porosi të përgatitet edhe për shumë vite në opozitë
Kryeministri Hristijan Mickoski të enjten sfidoi partitë politile në vend që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale. “Hajde le ta shohim se sa do ta mbash fjalën. Shihemi në tetor, përgatitu mirë për në fushë të mejdanit”. Kështu mbrëmë lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti iu përgjigj thirrjes nga kryeministri Mickoski i cili të enjten nga foltorja e Kuvendit ia drejtoi kryetarit të LSDM-së Venko Filipçe, njofton Portalb.mk.
“Të shohim se a do ta mbajë fjalën ose këtë e tha vetëm ta frikësojë opozitën e Maqedonasve”, tha Ahmeti mbrëmë nga Bogovina e Tetovës.
Mickoski thirrjen e bëri duke iu përgjigjur pyetjeve nga lideri i LSDM-së, Venko Filipçe në seancën për parashtrim të pyetjeve të deputetëve.
Filipçe i bëri thirrje Mickoskit që të tërhiqet nga funksioni për shkak se, siç tha, i ka shkelur të gjithë premtimet.
“Keni thënë se dota ktheni mandatin nëse thoni ‘e Veriut’. Hajde kryeministër tani keni shansin në Kuvend ta ktheni mandatin. Me këtë dëshmuat se politika e juaj nuk ka kurrfarë kurrizi”, tha Filipçe.
Mickoski, pas kësaj i bëri thirrje për ballafaqim në zgjedhje.
“Nëse dëshironi të shkojmë në zjedhje, të vërtetohemi që së bashku me zgjedhjet lokale të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse dëshironi, menjëherë tani ta dakordojmë punën. Por, do të ngulfateni në thellësinë, ku ju dërgojnë”, tha Mickoski në përgjigje.
Pas deklaratës së Ahmetit me reagim doli zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili liderin e BDI-së e porositi se duhet të përgatitet për të qenë edhe gjatë kohë në opozitë.
“Në vend se të shtirret sikurse është ndonjë faktor i madh në skenën politike, BDI bën mirë që t’i kthehet reformës së brendshme dhe të pastrojë rradhët nga krimi i organizuar e korrupsioni. Para se të caktojë mejdane, BDI bën mirë që t’i përgjigjet opinionit: Çfarë oferte përmbajnë SMS porositë të cilat ia kanë dërguar Kryeministrit Mickovski në kohën kur po negociohej qeveria e re?! Çfarë oferte vendosën në tavolinë në dhomën 161 në Parlament emisarët e Frontit Evropian derisa VLEN dhe VMRO DPMNE negocionin kabinetin e ri qeveritar?! A është e vërtetë se vetëm dy ministri dhe as Kryetari i Parlamentit ishte oferta e BDI-së për VMRO-në vetëm që të jenë përsëri në Qeveri?!”, shkruan Mexhiti në profilin e tij në Fejsbuk.
Sipas tij, këto janë çështjet për të cilat opinioni pret përgjigje nga BDI-ja.
“Retorika nxitëse dhe folklori janë skenar tashmë i njohur dhe i lexuar nga të gjithë. Krejt çka ka sjellur ajo retorikë është fuqizimi i ekstremizmit dhe sentimentit etno-nacionalist të shprehur përmes votës. Prandaj jeni qesharakë dhe asgjë më shumë”, shkruan Mexhiti.
Zgjedhjet e fundit të njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultate, Koalicioni VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, koalicioni i LSDM-së 18 deputetë, koalicioni Fronti evropian 18 deputetë, 14 deputetë fitoi koalicioni VLEN dhe nga gjashtë deputetë “Levica” dhe ZNAM.