Mickoski shuan shpresën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Shumica parlamentare nuk e ka ndërmend t’ua plotësojë dëshirën partive opozitare që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare, raporton Alsat. Ndonëse javën e kaluar Mickoski nga Kuvendi tha se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje, ai sot tha se as LSDM e as BDI nuk janë të gatshme për zgjedhje

“VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në zgjedhje që nesër. Nuk është problemi nëse ne do të shkojmë por pse të harxhojmë edhe 10 milion euro para të qytetarëve, para tuaja. Pastaj të ndalet sistemi, të mos zbatojmë reforma me qëllim që LSDM edhe njëherë të përballet edhe me një humbje të madhe”, tha Hristijan Mickoski,  kryeministër.

Nga LSDM thanë se 65% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e deritanishme të Qeverisë, ndaj dhe nevojiten zgjedhje të reja, ndërsa nga BDI Qeverinë vazhdojnë ta quajnë si monoetnike dhe pa legjitimitet.

Ndryshe, në fillim të muajit nëntor, opozita në Maqedoninë e Veriut pranoi propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. LSDM-ja dhe BDI-ja u shprehën të gatshëm për zgjedhje të përbashkët parlamentare dhe lokale, pasi kryeministri Hristijan Mickoski më 31 tetor sfidoi partitë politike në vend që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale.

Ndryshe, zgjedhjet e fundit të njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultate, Koalicioni VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, koalicioni i LSDM-së 18 deputetë, koalicioni Fronti evropian 18 deputetë, 14 deputetë fitoi koalicioni VLEN dhe nga gjashtë deputetë “Levica” dhe ZNAM.