Rama u prit nga Ahmeti, Kurti nga Mexhiti: Samiti në Shkup nxori në pah bujshëm përçarjet në politikën shqiptare në rajon

Samiti BE-Ballkani Perendimor, i mbajtur në Shkup, nuk solli vetëm diskutime për bashkëpunim rajonal dhe integrim evropian, por nxori në pah edhe tensione dhe përçarje tashmë të jo të panjohura brenda skenës politike shqiptare në rajon. Një detaj që u vu re ishte mënyra e pritjes së liderëve shqiptarë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u prit nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Ky detaj jep sinjale për raportet komplekse ndërmjet liderëve dhe subjekteve politike shqiptare në Ballkan. Madje mund të thuhet se, bujshëm nxjerrë në pah përçarjet në skenën politike shqiptare në rajon, që tashmë thuajse për askënd nuk janë të panjohura, shkruan Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri Mexheti, tha se e ka pritur “si mik dhe vëlla” në pikën kufitare kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte pjesëmarrës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, si pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e Planit të Rritjes.

“Sot prita në kufi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili do të jetë nesër në Takimin e lidershipit, BE-Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes.
E mirëprita si mik, si vëlla, si udhëheqës të një shteti që na qëndron pranë në çdo kohë. Kjo pritje ishte një shenjë respekti dhe vlerësimi për lidhjet që na bashkojnë, për qasjen e përbashkët që kemi ndaj sfidave të rajonit, dhe për besimin që ndajmë në të ardhmen tonë evropiane. Biseduam shkurt, me sinqeritet dhe vullnet të përbashkët. Për mundësitë që kemi para vetes. Për bashkëpunimin. Për njerëzit tanë, për vendet tona, për rrugën tonë drejt Evropës. Dhe është mirë kur në këtë rrugë kemi pranë njëri-tjetrin. Mirë se erdhe, Albin!”, shkroi Mexhiti.

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër u prit nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përmes rrjeteve sociale tha se e ardhmja evropiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces.

“Takim vëllazëror në Shkup me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në kuadër të Konferencës për Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e ritheksuam se edhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces. Diskutuam për: Kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit; Marrëdhëniet ndëretnike në vend; Rëndësinë e forcimit të raporteve shtetërore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ky lloj “asimetrie” në pritje reflekton përçarje të thella mes aktorëve politikë shqiptarë, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe brenda vetë partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut në raport me dy vendet përkatëse. 

Derisa Rama kishte raporte të ngushta me drejtues të pushtetit (tashmë të kaluar) në Maqedoni, Kurti në vazhdimësi ka pasur qasje më kritike, duke thënë se duhet përfaqësimi më dinjitoz i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, jashtë strukturave të vjetra të pushtetit.

Marrëdhëniet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë karakterizuar nga një bashkëpunim i ngushtë politik prej shumë vitesh. Derisa BDI ishte pjesë e qeverisë, Rama dhe Ahmeti janë takuar shpesh, si në Tiranë, ashtu edhe në forume rajonale. Në një nga takimet në Ohër gjatë Forumit të Prespës, Ahmeti e përshkroi Ramën si “të veçantë”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndërtuar një raport me liderët e VLEN-it që kur ishin opozitë. Në dhjetor 2023 Kurti kishte mbledhur në Prishtinë liderët e atëkohë, Lidhjes Evropiane për Ndryshim, dhe liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ku siç raportohej ishte diskutuar për bashkëpunimin e mundshëm në atë kohë mes opozitës dhe ASH-së.

Poashtu në dhjetor 2023 në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyrës së përbashkët të koalicionit, ku për herë të parë edhe zyrtarisht u paraqit edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku.