Derek Willis: Për të luftuar kundër dezinformatave, gazetaria duhet të jetë më transparente

Derek Willis, gazetar dhe ligjërues për gazetari të bazuar në të dhëna në kolegjin Philip Merrill në Washington D.C. thotë se gazetaria e bazuar në të dhëna, e ashtuquajtur Data Journalism, përveç intervistimit të njerëzve, të lejon të intervistosh edhe të dhënat, duke i përdorur si një burim për të treguar një ngjarje. Gazetaria e bazuar në të dhëna, gjithashtu mund të ndihmojë edhe në luftën kundër dezinformatave duke e bërë procesin e punës me të dhëna më transparent, raporton Portalb.mk.

Willis më parë ka punuar si zhvillues i aplikacioneve të lajmeve në “ProPublica”, ka qenë gazetar në “The New York Times” dhe redaktor i bazës së të dhënave në “The Washington Post”.

Afije Sherifi, gazetare në Portalb.mk, ishte në vizitë studimore në kolegjin Merrill në Washington D.C dhe ndoqi një ligjërate të Derek Willis në lidhje me gazetarinë e bazuar në të dhëna, nga ku pastaj biseduan për të njëjtën.

Si do të ia përshkruanit termin Gazetari e bazuar në të dhëna, dikujt që për herë të parë po e dëgjon dhe përse është e rëndësishme për një shoqëri?

Derek Willis: Gazetarinë e bazuar në të dhëna unë do ta përshkruaja si përdorimi i të dhënave si një burim për të treguar një ngjarje. Me këtë, dua të them se përveç intervistimit të njerëzve dhe leximit të dokumenteve, një gazetar mbledh informacione dhe i organizon në një mënyrë që lejon gjithashtu edhe intervistimin e të dhënave.

A mund gazetaria e bazuar në të dhëna të ndihmojë në luftën kundër dezinformatave?

Derek Willis: Patjetër që mundet dhe një nga mënyrat për ta bërë atë është duke e bërë procesin e gazetarisë së bazuar në të dhëna më transparent. Duke i shpërndarë të dhënat dhe hapat të cilat i kanë ndërmarrë gazetarët, ata mund t’u lejojnë lexuesve të shohin se çfarë po bëjnë duke krijuar besim dhe duke i ekspozuar aktorët e këqij.

Derek Willis, gazetar dhe ligjërues për Gazetari të bazuar në të dhëna, pranë kolegjit Philip Merrill në Universitetin e Maryland, në Washington D.C, foto: Portalb.mk
Derek Willis, gazetar dhe ligjërues në kolegjin Philip Merrill në Washington D.C, foto: Portalb.mk

Cila është mënyra më e mirë për të vizualizuar të dhënat, që ato të lexohen më lehtë?

Derek Willis: Nuk ka ndonjë mënyrë të vetme më të mire, mirëpo është shumë e rëndësishme që gazetarët të jenë në gjendje të bëjnë grafika dhe harta, jo vetëm për konsumim publik por edhe për raportimin e tyre. Një pjesë e rëndësishme e kësaj është t’i bësh vizualizimet të thjeshta dhe të qarta, nëse shfaq shumë gjëra në infografik mund ta bësh më të vështirë leximin.

Si ndikon inteligjenca artificiale (IA) në punën me të dhëna?

Derek Willis: Ne ende jemi duke mësuar kur vjen puna te përgjigja e plotë e kësaj pyetjeje, mirëpo ka disa mënyra të rëndësishme në të cilat inteligjenca artificiale ndihmon dhe të paktën një mënyrë sesi mund të dëmtojë gazetarinë e bazuar në të dhëna. Nga ana e dobishme, Inteligjenca Artificiale mund të asistojë në kthimin e informacioneve të pastrukturuara siç janë tekstet e gjata, në të dhëna të strukturuara, dhe mund të ndihmojë në gjetjen e relacioneve dhe anomalive në të dhënat ekzistuese. Nga ana tjetër, Inteligjenca Artificiale e bën më të lehtë të prodhohen të dhëna totalisht të rrejshme.

Cila është këshilla më e shpeshtë që ua jepni studentëve tuaj në lidhje me Gazetarinë e bazuar në të dhëna?

Derek Willis: Mos e rishpikni rrotën. Edhe pse gazetarie e bazuar në të dhëna është relativisht një inovacion i ri, zakonisht ka dikush që e ka bërë atë që ti je duke u përpjekur ta bësh ose ka trajtuar probleme të njëjta siç të tuat. Mësoni prej tyre; mos përpiqeni ti zgjidhni problemet vetëm.