Përshkrimi ngjarjeve në muzgun e ri gjeopolitik

Me rënien e Al-Andalusit (711-1492) dhe pushtimin e territorit nga normanët, historianë të kohës i regjistruan ngjarjet sipas një rendi që sot duken të pamundshme. Objektiviteti i tyre dukej në paraqitjen e ngjarjeve politike, ekonomike, kulturore dhe sociale nëpërmes analizës epistemologjike e që njeherit tregonte për njohuritë që dispononin autorët e asaj epoke. Në shek.e 11, në Mesdheun Perëndimor ku pushteti i vendosur nga drejtuesit islamik kishte filluar rënien përshkak të grindjeve të brendshme dhe sulmeve të jashtme, Al-Andalusi dhe Sicilia u fragmentuan në një seri principatash të vogla dhe pa ndonjë fuqi në Mesdhe. Në këtë sfond, historianë dhe kronistë arabë dhe të botës së krishterë e përdorën dijen e tyre për të shpjeguar ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare të asaj kohe. Midis tyre ishin Abu -Ishaq dhe Ibn- Hamdis, të cilët shkruajtën për muzgun shoqërorë që kishte rënë pas pushtimit të Al-Andalusit. Për dallim nga dijetarët bashkëkohorë që mbajnë anë ideologjike, si specialistë të zhvillimeve shoqërore, të dy autorët e mesjetës analizuan shumë fenomene politike të shteteve fqinjë. Kronistët e ngjarjeve të sotme janë të prirur që ndryshimet e mëdha, t’i paraqesin më ndryshe. Ata janë të ndikuar nga shumë faktorë, ku e vërteta është shumë vështirë të shkruhet pa ngjyrime fetare dhe etnike. Më keq është kur konfliktet aktuale për tokë dhe kufij nga studiues dhe analistë apo edhe gazetarë, raportohen dhe komentohen nga këndi i dominimit të një populli mbi tjetrin dhe të nënshtrimit fetarë. Ballkani dhe Lindja e Meseme si një hapësirë gjeografike e konflikteve fetare dhe etnike, asnjëherë nuk kanë qenë më keq se sot, kur e nesërmja nuk dihet se çfarë do të sjellë për kombet e copëtuara. Shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, agresioni i shtatorit ruso- serb ndaj Kosovës, dhe në kohën e luftës së papërfunduar në Ukrainë, e ka vendosur rajonin dhe botën në një fazë të shpërthimit të konflikteve të hapura dhe të izoluara. Kjo shihet nga ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës, Kinës ndaj Tajvanit dhe së fundi lufta në mes Izraelit dhe forcave ushtarake të Hamasit, ku palestinezët dhe qytetarët izraelitë e kanë pësuar më së shumti. Ngjarjet aktuale do të jenë vendimtare nëse do të ketë paqe të përhershme në këto rajone apo luftë. Mbështetja formale ndërkombëtare nuk ka munguar për popujt e shtypur. Ndërkohë, pa u bërë dallimi në mes agresorit dhe të dhunuarit, gjithnjë do të mbisundojë argumenti se një popull apo një shtet i fuqishëm ka të drejtë në emër të territorit të bëjë dëbimin e popullatës, të vrasë njerëz të pafajshëm dhe në fund të krijojë krizë humanitare ndërkombëtare. Paralelisht vendimmarjeve ndërkombëtare, e  rëndësishme është që regjistrimi i ndryshimeve gjeopolitike të bëhet nga njerëz specialistë, ashtu siç i kanë bërë në shumë vepra të antikitetit dhe të mesjetës historianët. Në këtë kontekst të së drejtave themelore të një populli, shkrimi dhe raportimi i ndodhive politike e bën rrëfimin historik më të qëndrueshëm nëse analistët do të shkruajnë analizë historike mbi ndryshimiet në shoqëri. Rrëfimi historik i shkruar mirë, është i rëndësishëm për gjetjen e kurtheve të linealitetit dhe të pashmangshmërisë së fakteve, që duhet të analizohen dhe të raportohen. Kurthi i linealitetit, të tërheqjes së vijave të drejta midis ngjarjeve të kaluara dhe ndodhive aktuale duhet të kuptohen mirë nga studuesit. Andaj, lajmet e këqija që vijnë si nga Lindja e Mesme, Ukraina, Ballkani dhe pjesët tjera të botës kanë një pikë të përbashkët. Faktet dhe ndryshimet duhet paraqitur ashtu siç janë- pa ndikime të jashtme. Vendosja e standardeve analitike në kohën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të jetë tepër sfiduese për specialistët.Prandaj ja vlen të rishikohen burimet ose botimet e hershme se si studiuesit e vjetër kanë bërë vlerësimin e zhvillimeve socio-politike. Në fund, rënia e shteteve dhe e shoqërive do të vazhdojnë deri në fund të ekzistencës së njeriut. Al-Andalusi, ishte vetëm një shembull për analizë për autorët e lartëpërmendur. Lindja e Mesme, Ballkani, Evropa Lindore, pa përjashtuar këtu dhe fuqitë aktuale botërore, mund të kenë fatin e civilizimeve dhe shteteve të antikitetit, mesjetës, të Rilindjes evropiane dhe atyre të shek. 19-20. Pasi çdo gjë është në lëvizje, sëkëndjemi edhe vështrimet e studiuesve duhet të jenë objektive dhe të qëndrueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.