Pollogu është rajoni më i dobët në investime, mbi 800 milionë euro IPA fonde të BE-së kanë hyrë në RMV

Nga viti 2007 në Maqedoninë e Veriut janë investuar gjithsej 812,457,807.62 euro përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Më shumë mjete janë investuar në rajonin e Vardarit, mbi 122 milionë euro, ndërkaq më pak në rajonin e Pollogut, 29 milionë euro. Për këtë dallim kaq të madh në mes rajoneve, problemi qëndron në disa faktorë, transmeton Portalb.mk.

Nga gjithsej 812 milionë euro të fondeve paraqasëse IPA, më shumë janë të investuara në rajonin e Vardarit, më pas në Pellagoni, rajonin e Shkupit, ndërsa në fund të listës është Pollogu.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Foto: Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE).
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Foto: Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE).

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, thotë se fondet dhe investimet në Maqedoninë e Veriut vijnë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, para që derdhen në fonde direkt nga pagesa e taksave në Bashkimin Evropia, dhe se përdorimi i të njëjtave është kyç në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimit rajonal.

“Qytetarët e vendeve anëtare të BE-së demonstrojnë në këtë mënyrë shkallën e ndërgjegjësimit dhe dëshirës për të kontribuar në vendet kandidate për hyrje në Bashkimin Evropian. Përgjegjësia dhe vendosmëria e treguar nga partnerët tanë strategjikë evropianë duhet të merren seriozisht. Marrja e përgjegjësisë nga ana jonë është një nga hapat më të rëndësishëm për realizimin me sukses të procesit të integrimit evropian dhe realizohet përmes marrjes së ndërgjegjshme të detyrimeve dhe punës së fokusuar nga ana jonë”, tha Mariçiq.

Në ilustrimin e mëposhtëm mund të shihen vlerat konkrete të fondeve IPA sipas rajoneve.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pra siç mund të shihet, Pollogu dhe rajoni Jugperëndimor kanë më pak fonde të investuara.

Pyetëm Sekretariatin për Çështje Evropiane për këtë disbalans në mes rajoneve dhe se ku realisht qëndron problemi, pavarësisht se na konfirmuan se do na njoftojnë për këtë, nga atje nuk na u përgjigjën.

Portalb.mk bisedoi me nismën qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT) ku aty kanë njohës të këtyre çështjeve dhe vetëqeverisjes lokale.

Nga atje theksojnë se që nga ndarja e vendit në tetë rajone planore, Pollogu është vazhdimisht rajoni më pak i zhvilluar dhe me investime më të vogla. Ndërkaq, shkaku sipas tyre nuk është një por gërshetim i shumë faktorëve.

“Komunat janë me kapacitete shumë të pazhvilluara (fjala është për burime njerëzore) për të përpiluar dhe aplikuar për projekte madhore. Kjo është pasojë e politikave kadrovike e veçanërisht të sektorët për zhvillim ekonomik lokal. Nuk duhet anashkaluar edhe Qendrën për zhvillimin rajonal të Pollogut e cila ka dështuar në shumë raste të shfrytëzon mjetet e disponueshme përmes projekteve. Por ndodh që edhe në projekte të kyçura të ketë dështime dhe vonesa të shumta për shkak të neglizhencës, paaftësisë së njerëzve kyç në projekte si rezultat i joprofesionalizmit, joseriozitetit dhe shkurtpamësisë së njerëzve kyç”, thonë nga MMPT.

Nga atje shtojnë se faktor tjetër është se disa gjëra duhet planifikuar në nivel rajonal e jo vetëm lokal dhe mosmarrëveshjet individuale duhet të tejkalohen.

“Nëse duam një rezyme të shkurtë e me pak fjalë, fajet janë te faktori njeri, mungesa e strategjive afatgjate ku dhe si duam ta shohim Pollogun dhe përkushtimi profesional”, theksuan nga Më mirë për Tetovën.

Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Tetova. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ana tjetër, sipas Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut ky problem nuk ka të bëjë shumë me komunat, siç thonë nga atje zakonisht projektet infrastrukturore i implementojnë ministritë nëpërmjet drejtorisë për menaxhim me fondin (CFCD).

“Realisht komunat ndihmojnë por përgjegjësia është e Qeverisë, ata janë që duhet t’i shtyjnë komunat të implementojnë ndërsa komunat shpesh i kanë edhe kapacitetet e kufizuara”, thanë nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut.

Nga atje morën si shembull projektin në Pollog që ende nuk është realizuar, stacioni për pastrimin e ujerave të zeza diku rreth 30 milionë euro, që sipas tyre menjëherë e dyfishon shumën prej 29 milionë në 60 kalon.

Për këtë projekt Portalb.mk dje publikoi një analizë në detaje të cilën mund ta lexoni KËTU.

Pyetëm edhe Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale (MVL), por nga atje na thanë se fondet IPA që realizohen përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale janë nga programi i BE-së për financimin e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar.

“Fondet mund të tërhiqen nga komunat, organizatat qytetare, institucionet, universitetet dhe subjektet e tjera jofitimprurëse vetëm në bazë të projekteve të partneritetit me subjekte nga shteti fqinj. Bashkëfinancimi në masën 15% sigurohet nga Ministria nga buxheti i shtetit, në mënyrë të barabartë për të gjitha projektet e miratuara. Kushti më i rëndësishëm për të siguruar fonde nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar është përgatitja e një projekti partneriteti cilësor me respektim të rreptë me rregullat e BE-së. Nëse projekti miratohet për financim, atëherë zbatimi duhet të jetë në përputhje me rregullat e BE-së në mënyrë që aplikantët të mund të përdorin plotësisht fondet nga BE-ja dhe ato të destinuara për bashkëfinancim. Në të kundërt rrezikojnë të mos arrijnë të tërheqin të gjitha fondet e miratuara pavarësisht miratimit të projektit”, thanë nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Tetova dhe Gostivari janë dy qytetet dhe komunat më të mëdha në rajonin e Pollogut.

Për këtë, biseduam me kryetarin e Komunës së Gostivarit, njëherit edhe kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravarin. Ai për Portalb.mk thotë se në të gjithë procesin e shfrytëzimit të fondeve IPA kryesisht rolin kryesor kanë bartësit e institucioneve nacionale, ministritë përkatëse si dhe grupet punuese dhe operative në kuadër të Sekretariatit për Çështje Evropiane, koordinatorit dhe grupeve punuese nacionale.

Arben Taravari, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Arben Taravari, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Zakonisht edhe nga raportet vjetore mund të haset se implementimi apo shfrytëzimi i fondeve të IPA nuk është në nivelin e kërkuar apo hasen mangësi.  Komunat në përgjithësi si dhe rajonet kanë pasur mundësinë e shfrytëzimit sidomos të IPA fondeve për bashkëpunim ndërkufitar por edhe fonde të IPA përmes programeve tjera të cilat janë shfrytëzuar nga komunat përmes thirrjeve të ndryshme”, tha Taravari.

Sa i përket shfrytëzimit të IPA fondeve në Rajonin e Pollogut, Taravari thotë se për këtë do të duhet të bëhen analiza nga të gjithë aktorët (IPA koordinatori nacional, strukturat operative dhe teknike, Qeveria dhe ministritë përkatëse) dhe të verifikohet përse përqindja apo vlera e realizimit dhe shfrytëzimit të mjeteve financiare është në nivelin më të ulët.

“Ndoshta problemi konsiston që nga procesi i hartimit të kornizave programore apo është në pyetje moszbatimi efikas i planeve vjetore nga ministritë dhe organet përgjegjëse përkatëse”, tha Taravari.

Përndryshe, qëndrim për këtë kërkuam edhe nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, por nga kabineti i tij nuk u përgjigjën në kërkesën tonë.