Një trup i pajetë u gjet pas zjarrit pranë qytetit kroat Omish, flakët janë përhapur sërish
Një person ka humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në zjarrin e madh pyjor pranë qytetit kroat Omish, i cili shpërtheu të enjten. Gjatë kontrollit të zonës së djegur është gjetur një trup, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, transmeton Portalb.mk.
Shtatë nga të lënduarit janë në rrezik për jetën dhe janë vendosur në respiratorë, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrstiç. Katër prej tyre janë transferuar për trajtim në Zagreb, përfshirë edhe një vajzë 17-vjeçare.
Në zjarrin që shpërtheu pranë vendbanimit Lokva Rogoznica janë djegur shumë objekte, automjete dhe mjete lundruese. Më pas zjarri u përhap drejt Omishit dhe përfshiu zonën mbi qytet. Autoritetet thanë se dëmet materiale janë të mëdha.
“Ky është një ngjarje e tmerrshme. Natyrale, por ndoshta jo vetëm natyrore”, tha presidenti kroat Zoran Milanoviç, duke lënë të kuptohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
Zyrtarët deklaruan se janë evakuuar rreth 1.200 banorë vendas dhe turistë. Gati 200 persona u shpëtuan gjatë natës nga deti në Omish, pasi kishin ikur nga zjarri.