Një shoqatë bullgare promovon mysliman me vetëdije bullgare në Llabunishtë të Strugës
Shqiptar, mysliman dhe me vetëdije bullgare është ky koncepti i pazakontë që e promovon një nga shoqatat bullgare në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për shoqatën “Shemeto” e cila vepron në disa qytete por që vëmendjen e ka tërhequr dega e shoqatës në fshatin Llabunishtë të Strugës. Banorët e Llabunishtës janë të habitur nga lajmi se në fshatin e tyre ka një shoqatë bullgare dhe shumë pak, për të mos thonë aspak, kanë dëgjuar për këtë shoqatë, shkruan Portalb.mk.
“Shemeto” është një nga shumë shoqata bullgare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ndryshe nga gjithë shoqatat tjera bullgare në territorin e Maqedonisë së Veriut kjo shoqatë përmend për herë të parë shqiptarët me vetëdije bullgare. “Shemeto” si shoqatë u regjistrua në mars të 2022-it në Gostivar, ndërsa vepron dhe në Prilep dhe në Strugë. Në statutin e shoqatës thuhet se “Shemeto” ka për qëllim “mbrojtjen e të drejtave themelore të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut” dhe “zhvillimi i marrëdhënieve mes bullgarëve dhe maqedonasve“. Shoqata në fjalë organizon disa aktivitete, të tilla si: trajnime, iniciativa bamirëse, konsultime, ngjarje kulturore etj.. Sipas publikimeve në faqen e tyre mundet të konkludohet se aktiviteti i fundit i “Shemeto” është realizuar në korrik të vitit 2023.
Themelues dhe bashkëkryetar i shoqatës është shtetasi bullgar Zhivko Çakrakçiev dhe Bekir Kadrievski shtetas i RMV-së nga fshati Llabunisht i Strugës.

Ajo që bie në sy për Zhivko Cakrakciev është fakti se nga profilet e tij në rrjetet sociale, shihet se ai është mbështetës i presidentit rus Vladimir Putin, madje është pjesë e një grupi fansash të presidentit rus, dhe shpesh ndan përmbajtje që janë kundër Perëndimit dhe Amerikës. Në biografinë e tij thuhet gjithashtu se ai flet rusisht. Cakrakciev ka qenë pjesë e shërbimeve ushtarake bullgare dhe ka shërbyer në forcat ajrore bullgare për dy vjet. Ai u bë i njohur në RMV dy vjet më parë kur organizoi protesta studentore në Berlin, Paris dhe Bruksel kundër diskriminimit të bullgarëve në Maqedoni dhe e quajti veten si përfaqësues i rinisë.
Nga ana tjetër, bashkëkryetar i shoqatës është edhe Bekir Kadrievski i cili u bë i njohur për opinion vendas por edhe më gjerë në qershor të vitit 2023 kur në rrjetet e tij sociale akuzoi se ishte sulmuar fizikisht për shkak të identitet të tij bullgar. Ngjarje kjo që bëri bujë të madhe në politikën mes dy vendeve. Pak ditë pas sulmit, për trajtim më të mirë Kadrievski u dërgua në një spital në Sofje të Bullgarisë. Nga postimet e tij në rrjetet sociale mundet të kuptohet se Kadrieski vazhdon të qëndrojë në Sofje edhe sot kësaj dite. Është interesant fakti se në të dhënat personale në “Facebook” Kadrievski thotë se është nga Sofja por jeton në Strugë. Bekir Kadrievski është nga fshati Llabunisht i Strugës, ku edhe figuron adresa e shoqatës, fshat ky i cili sipas regjistrimit të fundit numëron 6 739 banorë. Pjesa më e madhe – 4 751 deklarohen se janë shqiptarë, vijojnë turqit – 836, ndërsa 452 banorë janë deklaruar se i përkasin përkatësive tjera etike. Nëse në mesin e këtyre 452 personave nuk mundet të dihet se ka bullgarë. Sa i përket religjionit të gjithë banorët i përkasin fesë islame, përfshirë këtu edhe Kadrievskin i cili deklarohet si mysliman me vetëdije bullgare.
Në një intervistë të më hershme për emisionin 360 shkallë Kadrievski thotë se “nuk mendoj se është kontradiktore të jesh dhe shqiptar dhe me vetëdije bullgare, sepse Evropa na i mësoi këto gjëra. Pra, këtu kemi maqedonas me vetëdije serbe, të cilët e kanë thënë këtë. Kemi shqiptarë me vetëdije amerikane, pse t’i ketë rëndësi dikujt kjo? Pra është demokraci. Ne duam të hyjmë sa më shpejt në atë demokraci dhe tani nuk e di as kujt i intereson”.
Gjatë këtyre dy viteve Kadrievski paraqitet mjaft aktiv dhe i zëshëm në çdo aktivitet që ka të bëjë me bullgarët në RMV. Një nga aktivitetet e fundit të shoqatës është vizita në varrin e Goce Dellçevit më 4 shkurt, ndërsa në dhjetor mysafir i bashkëpresidentit Kadrievski ishte ambasadori bullgar Angel Angelov.
Redaksia e Portalb.mk në adresën postare të shoqatës kërkoi një intervistë, megjithatë deri më sot askush nuk i është përgjigjur kërkesës tonë. Nga ana tjetër, redaksia jonë kontaktoi disa banorë të fshatit Llabunishtë, kryesisht të rinj, për të mësuar rreth më shumë rreth kësaj shoqate. Dhe pse shoqata raportohet të jetë në Llabunisht askush nuk di të thotë një adresë të saktë se ky janë zyrat e kësaj shoqate. Shumica e të kontaktuarve nga ana e Portalb.mk as që kishin dëgjuar se në fshatin e tyre ekziston një shoqatë e tillë, disa të tjerë ishin informuar nga raportimet mediatike ndërsa të tjerë e mendojnë se shoqata të tilla ekzistojnë për të përfituar nga populli i varfër me shpresë se do i pajisin me pasaportë bullgare me çka do të munden më lehtë të depërtojnë në tregun evropian.
“As që kam dëgjuar për një shoqatë të tillë. Tash që po dëgjojë më duket qesharake që në Llabunisht ka një shoqatë bullgare”, tha një 33 vjeçar nga Llabunishti.
“Dëgjova në lajme diçka për një shoqatë bullgare në fshat, megjithatë as e di ku është ajo shoqatë as di ndonjë shok a familjarë të jetë pjesë e një shoqate të tillë”, tha një 30 vjeçare.
“Hera parë që dëgjojë se në Llabunisht paska shoqatë bullgare. Fshati jonë është i madh por mesa e di unë nuk ka bullgarë. Ne jemi shqiptar, unë jam nxënëse në shkollë të mesme të mjekësisë dhe mësoj në gjuhën shqipe”, u shpreh një 17 vjeçare.

Propaganda dhe dezinformimi në Ballkanin Perëndimor
Në një periudhë kur siguria e shumë vendeve të Ballkanit Perëndimor duket e brishtë nga ndikimi i shteteve tjera më të fuqishme, në forma e mënyra të ndryshme, funksionimi i shoqatave kontroverse përbën fenomen shqetësues mbi të gjitha për banorët lokal. Këtë e dëshmon dhe raporti hulumtues “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” nga Fondacioni Metamorfozis, i cili nxjerrë në pah dezinformatat dhe ndikimet keqdashëse të jashtme në vend dhe në rajon dhe mënyrat se si ato shfaqen dhe ndikojnë te publiku.
Duke folur mbi raportin, drejtori për partneritete dhe zhvillim të resurseve nga Metamorfozis Filip Stojanovski theksoi se fushatat e dezinformimit dhe përhapja e manipulimeve të lidhura me median nuk janë vetëm problem mediatik, por edhe problem sigurie.
“Ato destabilizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, duke minuar besimin në institucionet demokratike dhe duke penguar realizimin e objektivave të tyre më të rëndësishme strategjike”, theksoi Stojanovski.
Stojanovski theksoi se aktorët e huaj të ndikimeve keqdashëse në Ballkan përdorin dezinformimin si mjet për të shkaktuar ndarje midis vendeve, dhe se efektet e kampanjave dezionformuese kanë ndikim në rritjen e euroskepticizmit në rajon.
“Rusia e ka të lehtë të ndërhyjë në narrativet anti-perëndimore dhe anti-BE në Ballkanin Perëndimor, sepse ato tashmë kanë qenë të njohura për një kohë të gjatë në rajon”, theksoi Stojanovski.
Për më tepër hulumtimi tregon se dezinformimi dhe lajmet e rreme janë problem serioz i sigurisë që mund të pengojnë realizimin e objektivave strategjikë më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq se është e domosdoshme që të gjitha vendet e rajonit të vendosin bashkëpunim të ngushtë të ndërsjellë dhe të kenë qasje në ekspertizën e BE-së dhe të NATO-s në krijimin e strategjive të rezistencës dhe reagimit ndaj ndikimeve të huaja keqdashëse.
Sipas hulumtimit, vitet e fundit, ndikimi i huaj keqdashës në Ballkanin Perëndimor i ka intensifikuar përpjekjet e tij për minimin e zhvillimit demokratik të rajonit. Presionet e jashtme të dëmshme i shfrytëzojnë zhvillimet dhe ngjarjet kryesore politike brenda vendeve, por gjithashtu manipulojnë me çështje globale.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Skenarë bullgarë për rritjen fiktive të minoriteteve në Shqipëri
Në Shqipëri ka filluar regjistrimi i popullsisë së, në 18 shtator 2023, dhe po përballet me ndikime të disa shteteve për të rritur artificialisht numrin e minoriteteve. Një ndër ta sipas emisionit investigativ “Inside” në Top Channel, është dhe Bullgaria e cila po pajis në masë të madhe me pasaporta bullgare shtetas shqiptar të cilët flasin gjuhë sllave. Hulumtimi tregon se Bullgaria ushtron trusni ndaj qytetarëve në disa fshatra që të deklarohen si bullgarë, në Gollobord e Pustec fshatra në kufi me Maqedoninë e Veriut dhe ky pjesa më e madhe e banorëve janë deklaruar si pakicë maqedonase por dhe në veri të Shqipërisë në fshatin Gorë të banuar me etnitetin goranë. Emisioni nxjerr në pah faktin se pasaporta bullgare, si vend anëtare e BE-së, është një mjet mjaft atraktiv për qytetarët e varfër të cilët të ardhmen e shikojnë në Perëndim. Banorët të fshatit Gorë prononcohen në emision se ata janë shqiptar por që flasin dhe një gjuhë sllave dhe përderisa kjo gjuhë ju shërben atyre të marrin një pasaportë evropiane atëherë ata janë të gatshëm të deklarohen edhe bullgarë.
Procesi i regjistrimit në Shqipëri duhej të përfundonte brenda 6 javësh megjithatë afati është shtyrë deri më 15 nëntor për shkak të problemave që janë shfaqur gjatë procesit. Momentalisht nuk ka të dhëna rreth numrave të popullsisë, por ajo që dihet saktë është se pritet të ketë një rritje të dukshme të minoritetit bullgarë në Shqipëri.
Theksojmë se edhe shoqata “Shemeto” ka bashkëpunuar me komunitetin bullgar në Pustec të Shqipërisë.