Një kthesë mbi zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

Këshilli i Evropës (KE) vendosi t’i hapë bisedimet me Ukrainën dhe Molldavinë. Këshilli i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. Kurse BE-ja sipas njoftimeve do t’i hapë negociatat me Bosnjën “pasi të arrihet shkalla e nevojshme me kriteret e anëtarësimit”.

“Një sinjal i qartë shprese për popullin dhe për kontinentin tonë”- tha Josef Borrelli përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së i cili e cilësoi këtë ditë si “një hap historik drejt familjes evropiane”.

Në Samitin e Brukselit, drejtuesit e BE-së kanë diskutuar anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në union, duke theksuar “nevojën për reforma të rëndësishme”. Metodologjia e zgjerimit gjithashtu ka zënë vend në këtë samit.

Presidenti i Këshillit Evropian Çarls Mishel tha: “Ne presim më shumë reforma prej tyre, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në fushën e pavarësisë së drejtësisë”. Çarls Mishel ka vlerësuar se “ka një vendosmëri të fortë politike nga liderët rajonalë për të bërë reforma”.

Borrelli në fjalimin e tij e quajti zgjerimin e mundshëm të bllokut aktual me Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e V. dhe Serbinë si “garancia më e rëndësishme e sigurisë” e BE-së, duke ju kërkuar vendeve kandidate të lëvizin me reformat.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se “hapja e bisedimeve do të ofrojë një mundësi historike një herë e përgjithmonë”. Përderisa BE-ja e ri konfirmoi angazhimin e saj ndaj perspektivës së anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe bëri thirrje për shpejtimin e procesit të reformave dhe të fqinjësie të mirë, qeveria serbe doli me një deklaratë këtë javë ku tërthorazi tregoi se nuk do të respektojë asnjë pikë nga Marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Lëmshi ballkanik vazhdon më tej. Greqia sipas njoftimeve ka vendosë veto ndaj Shqipërisë për arsye të pakicës greke. Maqedonia e V. ende si ka përfunduar ndryshimet kushtetuese të premtuara si ndaj BE-së dhe Bullgarisë. Një varg çështjesh tjera të hapura dhe të tjera që bazën e kanë nga jashtë vazhdojnë t’i mbajnë shtetet e Ballkanit të varura dhe pa një datë të saktë se kur do të hynë në BE. Sinjalet nga Samiti i Brukselit u mirëpritën në Uashington.

Departamenti i Shtetit në një kumtesë këtë vendim të KE-së e quajti historik. “Vendimet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Ukrainën dhe Moldavinë, dhënien e statusit kandidat të BE-së për Gjeorgjinë dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën, pasi të ketë përmbushur kriteret e nevojshme janë një moment historik për Evropën dhe për partneritetin transatlantik”. “SHBA-të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht procesin e zgjerimit të BE-së dhe mbështesin vendet kandidate në reformat kritike në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”.

Nga vlerësimet e parë evro-amerikane shihet se SHBA-ja dhe BE-ja janë të fokusuara tek reformat e vërteta, pra sistemi i drejtësisë dhe shteti ligjor. Pa ndryshime të dukshme vështirë se 2030-ta do të mund të jetë një vit i gëzueshëm për shtetet kandidate. Janë dhënë deklarata të shumta nga zyrtarët e rajonit se reformat do të bëhen, mirëpo realiteti tregon se shtetet janë në gjendje të rëndë në shumë fusha të cilat duhet të përmirësohen nëse qeveritë dëshirojnë anëtarësim të shpejtë.

Në disa momente është kanë vënë dyshim se ku qëndrojnë me veprimet konkrete qeveritë e Ballkanit. BE-ja ka ndërmarrë disa nisma dhe duhet përshëndetur. 30 miliardë dollarë janë premtuar për Ballkanin Perëndimor po nga Brukseli. Miliona euro për tre dekada janë shpërndarë në rajon. Komisioni Evropian njoftoi një paketë të re investimi prej 680 milionë euro për të mbështetur pesë investimet në transportin hekurudhor dhe energjinë e rinovueshme në Ballkan.

Andaj ky moment duhet shfrytëzuar, pasi në muajt e fundit Rusia e ka trazuar përsëri “tenxheren” e nxehtë me miqtë e saj në Ballkan. Pra është koha për lëvizje dhe ndryshime të vërteta para se të bëhet vonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.