Ndërtimet pa leje në Kënetën e mbrojtur të Studençishtit: Komuna e Ohrit nuk vepron

Përkundër mbrojtjes së përkohshme të Kënetës së Studençishtit si thesar natyror që nga viti 2021, në zonën e mbrojtur në daljen nga Ohri në drejtim të Shën Naumit, në një tokë e cila në kadastër ende figuron si bujqësore, janë ndërtuar të paktën gjashtë ndërtime pa leje dhe dy pllaka themelore të armiruar-betoni. Ndërtimi ka filluar në vitin 2021, edhe pse me Vendimin për mbrojtje të përkohshme është ndaluar zbatimi i Përgjithshëm Planit Urbanistik (PPU) dhe legalizimi i ndërtimeve pa leje, thuhet në hulumtin e radhës të Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL), transmeton Portalb.mk. 

Inspektorati Komunal i Ndërtimit, pas denoncimeve nga shoqata qytetare „Front 21/42“ në pranverën e vitit 2023, ka lëshuar vendime për rrënim për pronarët e parcelave 5774 dhe 5773/1. Megjithatë, Komuna e Ohritit prej vitesh nuk i rrëzon objektet. Kryetari i Komunës, Kiril Pecakov, deklaroi se pushteti lokal nuk ka as kompani për rrënim, as mjete të mjaftueshme për të filluar një proces të tillë.

Hulumtimi i IRL zbuloi se pjesa më e madhe e parcelës 5774 (2.111 m²) është në pronësi të 13-vjeçares Zarina Rubinova, vajzës së biznesmenit lokal me të kaluar kontroverse, Vllado Rubinov, i njohur si “Lac”. Pronarët e tjerë të dy parcelave janë të lidhur me partnerin e biznesit të Rubinov, hotelierin Cvetko Matlijoski.

“Ish-bashkëpronari, Dimçe Gligoroski, ka marrë njoftim nga Komuna për ndërtimet pa leje të evidentuara dhe një kujtesë për t’i rrënuar, megjithëse tokën e kishte shitur më shumë se dhjetë vjet më parë, duke treguar mosveprimin e duhur të komunës. Ndërtimet pa leje në kënetë janë lidhur me energji elektrike, duke përdorur bazën e „pompave për ujitje“.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor (ISHMJ) konstatoi shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, por nuk ndërmori masa përveçse informoi Komunën. Ndërkohë, ndërtimet pa leje vazhdojnë të zhvillohen”, shkruan IRL.

Nga Prokuroria në Ohër kanë informuar se është hapur lëndë penale për ndërtim pa leje dhe uzurpim të pronave të paluajtshme në Kënetën e Studençishtit.

Hulumtimin e plotë të IRL-së mund ta lexoni në këtë LINK.