Një javë plot art skenik, edhe pak ditë fillon Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Tetovë
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës do të mbahet nga 1 tetori deri më 6 tetor. Për një javë resht, Tetova do të mirëpresë trupa teatrore nga vende të ndryshme të cilat do të paraqesin artin e tyre para publikut, shkruan Portalb.mk.
Ky festival vjen si një platformë për të promovuar vlerat e artit teatror, për të krijuar ura bashkëpunimi mes teatrove të ndryshme dhe për të sjellë në vëmendje rëndësinë e teatrit si formë komunikimi, reflektimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror.
Përmes një programi të pasur dhe të larmishëm, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqje nga trupa vendore dhe ndërkombëtare, të cilat do të interpretojnë vepra klasike, bashkëkohore dhe produksione eksperimentale që sfidojnë format tradicionale të teatrit.
Hasim Memishi Sopi drejtor i Teatrit të Tetovës për Portalb.mk tha se ky edicion sjell shumë premiera dhe shfaqje që trajtojnë tema aktuale.
“Ky edicion sjell shumë premiera dhe shfaqje që trajtojnë tema aktuale, nga identiteti kulturor deri te ndryshimet shoqërore. Ka disa shfaqje unike që për shikuesit do të jenë shumë atraktive. Trupat janë përzgjedhur përmes një procesi selektiv ku janë marrë parasysh risia artistike, cilësia regjisoriale dhe mesazhi i veprës. Autorët dhe zhanret janë të larmishme-nga drama klasike, tek komedia moderne. Ky festival po shndërrohet në një urë për të prezantuar krijimtarinë shqiptare dhe më gjerë, para publikut vendas”, tha Memishi Sopi.
Ai gjithashtu shtoi se në një të ardhme të afërt Tetova mund të bëhet një pikë referimi në kalendarin kulturor rajonal.
“Strategjia është ndërtimi i një tradite të qëndrueshme të festivalit, krijimi i partneriteteve me qendra të ndryshme teatrore dhe investimi në edukimin e brezave të rinj. Në një të ardhme të afërt Tetova mund të bëhet një pikë referimi në kalendarin kulturor rajonal”, tha Memishi Sopi.
Mbështetës të festivalit janë Ministria e Kulturës dhe Turizmit së RMV-së, Komuna e Tetovës etj.
Për ata që duan ta ndihmojnë Teatrin, bileta është 200 den.
Për ata që duan të ndjekin vetëm shfaqjet, pa ndihmuar Teatrin, biletat janë falas.
Të gjithë të interesuarit biletat mund t’i marrin te Teatri i Tetovës, çdo ditë nga ora 10:00-16:00.
Më poshtë mund ta gjeni programin e plotë të festivalit.
01.10.2025
- “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” Teatri “Adriana”-Ferizaj, Kosovë, autor Jeton Neziraj, nën regji të Agon Myftari.
02.10.2025
- “Art”– Teatri Kombëtar i Kosovës-Prishtinë, Kosovë me autor Jasmina Reza, nën regji të Bashkim Ramadani.
03.10.2025
- “Një dorëzim në Spokan” Teatri i Qytetit “Abdullah Krashnica”- Preshevë, autor Martin Mcdonagh, nën regji të Afeida Boriçi Memeti.
04.10.2025
- “DJALI” Teatri i Qytetit dhe Anamour- Gjilan, Kosovë, autor Florian Zeller, nën regji të Erson Zymberit
05.10.2025
- “Njeriu që pa vdekjen me sy”- Teatri i Gostivarit, autor Viktor Eftimiu, nën regji të Elmir Sejfullait.
06.10.2025
“Në përballje me vdekjen”-Teatri i Tetovës, autor August Strindberg, nën regji të Afërdita Nuhijit.
Përndryshe, edhe ky vit Teatrin e Tetovës e gjen në objektin e Pallatit të Kulturës, sepse objekti i ri i teatrit nuk është gati ende, edhe 11 vjet pasi kanë filluar punimet.