Nikollovski: Pas zgjedhjeve nuk do të ketë qeveri me BDI-në

Sipas deputetit dhe nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, partia në pushtet LSDM kishte rejting të ulët, dhe kjo, thotë ai, për shkak të mosrealizimit të premtimeve të ish-kryeministrit Zoran Zaev, se nuk do të hynte në koalicion me “kriminelët dhe bandat” e BDI-së, transmeton Portalb.mk.

Këtë deklaratë të Nikollovskit e ka dhënë në një intervistë javore në “Radio Evropa e Lirë”. Ai pohon se pas zgjedhjeve “nuk do të ketë qeveri me BDI-në”.

Ndër të tjera, Nikollovski ka përsëritur qëndrimin që e ka paraqitur disa herë para mediave, se në Kuvend nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, sepse nuk do të votojë asnjë deputet nga partia e tij.

“Ne e mbyllëm këtë. Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, ndaj mendoj se është e kotë të futemi në teza dhe hipoteza që kanë të vetmin qëllim të mashtrojnë publikun nga çështjet reale, dhe kjo është si p.sh, si është e mundur që Lotaria e Shtetit është larguar nga hapësirat shtetërore dhe private…nënshkruan qira 2.6 milionë euro dhe më pas kompaninë e blen djali i një deputeti të BDI-së. Këto janë çështjet reale në Maqedoni. Që ta mbyllim temën, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar as para zgjedhjeve, as pas zgjedhjeve”, thotë Nikollovski.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së paralajmëron edhe humbje të fortë të LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa komenton kalkulimet zgjedhore dhe negociatat nëse zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare duhet të mbahen në të njëjtën datë.

“Nëse shkojmë për atë që do të na përshtatet politikisht, na shkojnë zgjedhje të veçanta, për arsyen e thjeshtë se zgjedhjet presidenciale do t’i fitojmë bindshëm dhe pas kësaj LSDM do të jetë në një situatë që nuk do të gjejë 20 veta për t’i vënë në listat e deputetëve, sepse është e sigurt se çfarë disfate dramatike do t’u ndodhë në zgjedhjet parlamentare… Por ne duhet të shikojmë edhe tjetrën, që është interesi shtetëror, sepse ne në radhë të parë jemi të angazhuar në punë publike. Nuk ka logjikë të shpenzohen mjete të dyfishta, dyfish të punësohen borde zgjedhore dhe të ngrihet i gjithë vendi për shtatë muaj për shkak të dispozitave të tjera të Kodit Zgjedhor, në të cilat shumë aktivitete të shtetit ndalojnë gjatë zgjedhjeve”, thotë Nikollovski.

Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, 26 tetor ka folur për datat e mundshme për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, si dhe për afatet. Ai ndau tre data të mundshme për raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve.

Sipas tij, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Kështu, nëse raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 14 mars, atëherë shpallja e zgjedhjet duhet të jenë më 4 janar 2024. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Datat e mundshme sipas Xhaferit janë:

  • Raundi i parë: më 14 mars, 28 mars, 11 prill dhe 25 prill.
  • Raundi i dytë: 28 mars, 11 prill, 25 prill dhe 9 maj (datë kritike sepse inaugurimi do të duhet të jetë më 12 maj).

Ndryshe, kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski deri më tani ka insistuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski i porositi liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të mbahen në terminin e rregullt, por la hapësirë ​​edhe për marrëveshje me opozitën për datën e saktë.

“Do të kemi zgjedhje të rregullta, opozita në disa raste ka pohuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe tani të thotë se do të ketë zgjedhje të rregullta, kështu që kjo çështje është zgjidhur shumë kohë më parë”, tha Kovaçevski sot në pyetjet e gazetarëve.

Kryeministri thotë se afati i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta presidenciale, si dhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare, duhet të jetë objekt diskutimi mes të gjitha palëve, duke theksuar edhe afatet ligjore që duhet të respektohen.

Më 4 tetor kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski i bëri thirrje kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski të thërrasë takim të liderëve, në të cilin, siç thotë, do të bisedohet për procesin zgjedhor.

Nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese q i kundërshton VMRO-ja, nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.