RMV, datat e mundshme për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Xhaferi: Partitë të arrijnë konsensus

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në konferencën e sotme për media ka folur për datat e mundshme për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, si dhe për afatet. Ai ndau tre data të mundshme për raundin e parë dhe të dytë të zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Kështu, nëse raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 14 mars, atëherë shpallja e zgjedhjet duhet të jenë më 4 janar 2024. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Datat e mundshme sipas Xhaferit janë:

  • Raundi i parë: më 14 mars, 28 mars, 11 prill dhe 25 prill.
  • Raundi i dytë: 28 mars, 11 prill, 25 prill dhe 9 maj (datë kritike sepse inaugurimi do të duhet të jetë më 12 maj).

Zgjedhjet për president mbahen gjatë 60 ditëve të fundit të mandatit aktual të kreut të shtetit.

Xhaferi sot u ka bërë thirrje partive politike që të pajtohen për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare vitin e ardhshëm për të respektuar afatet ligjore dhe kushtetuese.

“Deri në Vitin e Ri duhet të kemi një konsensus për zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet parlamentare janë tjetër histori dhe zbatohen procedura të tjera dhe afate të tjera, dhe ka kohë deri në shkurt, mars”, theksoi Xhaferi në konferencën e sotme për media.

Nëse palët nuk bien dakord dhe kalkulojnë, thotë ai, “nuk do ta lë ashtu, nuk do të lejoj që të shkojë përtej asaj që është përcaktuar”.

“Unë jam i obliguar ta bëj këtë dhe të jap kohë shtesë që të mos mbetemi pa president”, ka theksuar Xhaferi.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, Xhaferi tha se mandati i deputetëve përfundon më 4 gusht. Zgjedhjet mbahen brenda 90 ditëve nga mandati aktual ose brenda 60 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit. Sipas tij, afatet e rregullta në mandatin e rregullt janë 5 maj – 15 korrik, për të mundësuar konstituimin brenda afatit kushtetues, jo më vonë se 21 ditë nga dita e votimit, nëse zgjedhjet parlamentare organizohen të mbahen para datës 5 maj, atëherë ato zgjedhje janë të parakohshme dhe në atë rast zbatohen nenet e tjera.

Ndryshe, kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski deri më tani ka insistuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski i porositi liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të mbahen në terminin e rregullt, por la hapësirë ​​edhe për marrëveshje me opozitën për datën e saktë.

“Do të kemi zgjedhje të rregullta, opozita në disa raste ka pohuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe tani të thotë se do të ketë zgjedhje të rregullta, kështu që kjo çështje është zgjidhur shumë kohë më parë”, tha Kovaçevski sot në pyetjet e gazetarëve.

Kryeministri thotë se afati i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta presidenciale, si dhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare, duhet të jetë objekt diskutimi mes të gjitha palëve, duke theksuar edhe afatet ligjore që duhet të respektohen.

Më 4 tetor kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski i bëri thirrje kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski të thërrasë takim të liderëve, në të cilin, siç thotë, do të bisedohet për procesin zgjedhor.