Nga e thëna në të bërë

Është lehtë të shkruash rregulla, është vështirë t’i zbatosh ato. Me këtë realitet përballemi për një kohë të gjatë ne vendin tonë. Të gjitha raportet ndërkombëtare vërejnë që ligjet tona janë në rregull, kemi ligje për gjithçka dhe çdo gjë, disa prej tyre mjaft të avansuara dhe që mund të meren shembull edhe në vende të tjera. Por kur vjen puna tek zbatimi i ligjeve, këtu paraqitet një numër i madh i problemeve. Ose siç thot populli: Nga e thëna në të bërë është një det i tërë.

Kështu Kushtetuta jonë parasheh pavarësinë e të gjithë institucioneve shtetërore dhe përcakton një sistem të qartë të ndarjes së pushtetit dhe të kontrollit dhe balansit. Por në fakt  ne kemi probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit dhe institucioneve që udhëheqin me gjyqësorin, ashtu siç vërehet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit në procesin e eurointegrimeve. Kështu që ligjet mund të jenë perfekte dhe të ofrojnë mbrojtje perfekte, por realiteti mund të jetë diçka tjetër.

Dhe kur realiteti është diçka tjetër, atëherë vjen në shprehje parimi kryesor nga i cili varet pavarësia e gjithësecilit: integriteti. Pra nuk mjafton të kemi ligje të mira. Për të funksionuar me të vërtetë pavarësia e institucioneve duhet integritet. Integriteti është diçka që ndërtohet me kohë dhe nuk fitohet brenda natës. Integriteti mësohet nga mosha e vogël dhe kultivohet gjatë gjithë jetës. Nëse që në fëmijëri i nxisim fëmijët të jenë servilë dhe të shohin gjithmonë komoditetin e tyre, nëse i mësojmë të jenë gjithmonë të bindur dhe të zbatojnë urdhëra pa zhvilluar mendimin kritik te ata, kur ata të rriten do të kërkojnë gjithmonë urdhëra për të zbatuar, pa i kontestuar dhe pa e analizuar kontekstin e tyre. Integritet ndërtohet vështirë sepse nuk jep komoditet. Integriteti është dalje nga zona e konformizmit dhe shpesh paraqet notim në të kundërtën e rrjedhës. Integriteti kërkon energji, kërkon guxim. Integritetin nuk e kultivojmë sa duhet në shoqërinë tonë, prandaj pastaj kemi problem me profesionet kryesore ku integriteti është i domosdoshëm.

Duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi integritetit. Duhet ta vendosim në kurikulat mësimore që në moshë të re. Nuk mund të mësohet integriteti në Akademinë që ndiqet pas përfundimit të studimeve, nëse njerëzit asnjëherë më parë nuk janë ballafaquar me të. Të mësosh integritetin pas moshës thridhjetvjeçare është shumë vonë, integriteti duhet të fillojë të mësohet që nga mosha parashkollore, sepse kështu do të bëhet pjesë e rëndësishme e karakterit.

Pa pasur integritet të mirëfilltë tek secili qytetar, e veçanërisht tek ata që udhëheqin çështje me rëndësi, nga e thëna në të bërë gjithmonë do të ketë një det të tërë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.