Pendarovski në Davos: Integrimi i përshpejtuar i Ballkanit Perëndimor në BE do të ndikojë pozitivisht në eurooptimizmin në rajon

Integrimi i përshpejtuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndikojë pozitivisht në sigurinë, në proceset e përgjithshme politike, në agjendën e reformave, si dhe në eurooptimizmin në rajon. Ky është qëndrimi që kreu i shtetit Stevo Pendarovski riafirmoi në fjalimin e tij dje në mbrëmje në seancën me titull “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, dhe në kuadër të Takimit të 54-të Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të debatit, siç informuan nga kabineti i Pendarovskit, ishin perspektivat për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor në kontekstin më të gjerë gjeopolitik dhe të sigurisë, gatishmëria e tyre për zbatimin e reformave, pritjet nga vendet evropiane, zgjedhjet, përmirësimi i integrimit ekonomik të rajonit dhe rritja e tij.

Në fjalën e tij në seancë, Pendarovski tha se, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është e nevojshme vetëm për forcimin e ekonomisë, promovimin e tregtisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës, por se integrimi politik në institucionet e BE-së është gjithashtu i nevojshëm, e cila do të kontribuojë për zhvillimin demokratik, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe mediat e lira.

“Presidenti Pendarovski theksoi se në kohë krizash të shumta është e rëndësishme që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor të ketë një prani më të madhe evropiane në rajon”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në mesin e pjesëmarrësve të seancës, siç shtohet, ishin edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen; Ministri Federal i Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Alexander Schallenberg; Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq; kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq; kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili; kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Ndryshe, kreu i shtetit ndodhet në Davos që nga e marta, ku po merr pjesë në takimin e 54-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, këtë vit me titull “Rindërtimi i besimit”.

Krahas seancës së mbrëmshme kushtuar Ballkanit Perëndimor, në agjendën e kreut të shtetit është edhe pjesëmarrja në tubimin informal të liderëve të ekonomisë botërore “Kthimi i besimit në sistemin global” dhe darka zyrtare “Ndërtimi i Europës së nesërmes”.

Pendarovski në Davos, ndër të tjera, pati takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, në të cilin temat kryesore ishin situata aktuale lidhur me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, procesi i reformave dhe situatën politike në vend.

Në të, shefi i diplomacisë amerikane për Evropë dhe Euroazi ka shprehur pritjen e Uashingtonit zyrtar se vendi do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Në takim u riafirmua mbështetja e SHBA-së për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe u shpreh pritshmëria nga Uashingtoni zyrtar se vendi do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e shkurtër nga kabineti i Presidentit rreth takimit.