Nëse shohim parregullsi te lokalet, pason mbyllja, paralajmëroi Inspektorati në Maqedoninë e Veriut

Inspektorati shtetëror i tregut (ISHT) nga java e ardhshme do të punojë me kapacitete të rritur në terren dhe nëse nuk respektohen vendimet e paralajmëruara për ulje të çmimeve do t’i mbyllë vendet për shitje me ndryshime ligjore, që i kanë paralajmëruar Ministria e Ekonomisë, inspektorët e ISHT do të mund të mbyllin objekte dhe pa kaluar procedurat gjyqësore, raporton MIA.

Drejtori i ISHT, Goran Trajkovski sot pas takimit me pronarët e tetë zinxhirëve të marketeve paralajmëroi se javën e ardhshme të  martën në seancë qeveritare do të definohen masat që do të ndërmerren, nëse vërtetohen parregullsi në lidhje me çmimet e 50 produkteve ushqimore.

“Aktualisht me ligjet parashikohen gjoba që ndalojnë kryerjen e veprimtarive dhe konfiskimin e mallit, por do të doja të prisja të martën në seancën e qeverisë, ku do të përcaktohet saktësisht. Të gjitha këto vendime janë për t’u përshëndetur, kam parë një atmosferë pozitive tek tregtarët, të cilët do të bisedojnë me furnitorët dhe të gjithë së bashku duhet t’i ulin çmimet, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se në muajt e fundit çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë”, tha Trajkovski në një konferencë për shtyp pas takimit ku mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Nëse nuk respektohen vendimet që do të merren, ai paralajmëroi se pason mbyllje nga ana e Inspektoratit shtetëror të tregut, edhe pse, siç thotë, nuk dëshirojmë që kjo të ndodh. “Nëse jemi të detyruar dhe shohim parregullsi këtë do ta bëjmë”, sepse kjo është në interes të të gjithë neve dhe qytetarëve të këtij vendi”, theksoi Trajkovski.

Rikujtojmë se ditën e djeshme, Ministria e Ekonomisë ka dorëzuar në Qeveri një propozim-vendim për ndalimin e shitjeve aksionale dhe promocionale nga të gjitha rrjetet tregtare në vendin tonë, i cili do të jetë i vlefshëm deri më 30 nëntor. Kurse, në seancën e ardhshme të Qeverisë do të propozojnë edhe vendim për ngrirjen e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore, tha Ministri i Ekonomisë.

LEXO: Bekteshi: Do të ndalohet shitja promocionale në markete, pritet ngrirje e çmimeve

Më 1 korrik përfundoi masa për marzhet e ngrira për produktet ushqimore bazë – bukë, sheqer, vezë dhe produkte të qumështit. Me këtë lëvizje, shteti ia lë në dorë prodhuesve dhe tregtarëve që t’i përcaktojnë vetë çmimet sipas kushteve të tregut. Të gjitha të rezervuara për vlerësimet e rritjes ose rënies së çmimeve.