Pronari i një argjendarie në Maqedoni tentoi të kontrabandonte stoli ari me vlerë 4 milionë denarë
Stoli ari me vlerë 4 milionë denarë, të cilat një banor i Tetovës, pronar i një argjendarie, tentoi t’i kontrabandonte të fshehura në një jastëk për qafë, janë sekuestruar nga zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Bogorodicës. Ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Vepra penale është zbuluar gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në relacionin Stamboll–Gostivar. Kur u pyetën nëse kishin diçka për të deklaruar, asnjë nga udhëtarët nuk deklaroi mallra për kontroll doganor, pas së cilës u krye një kontroll i detajuar. Gjatë kontrollit, në brendësi të jastëkut për qafë që mbante i dyshuari, u zbuluan 77 copë stoli ari me peshë prej 612 gramësh.
Gjatë procedurës parahetimore të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve, janë siguruar prova se personi, pasi kishte blerë stolitë e arit në një punishte argjendarie në Stamboll, kishte për qëllim t’i fuste ilegalisht në vend dhe t’i shiste në argjendarinë e tij.
“Drejtoria e Doganave vazhdon aktivitetet që synojnë mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe krijimin e kushteve për një ekonomi të ndershme”, thonë nga Dogana.