Lloga në burgun e Idrizovës: Kushte të mjerueshme dhe jashtë standardeve, nevojitet amnisti urgjente

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga së bashku me kryetarin e Komisionit Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Halil Snopçe, anëtaren e komisionit Dragica Gjavoçanova, Drejtorin e DES,  Jovica Stojanoviç, Drejtorin e INK “Idrizovë”, Zoran Jovanovski dhe Zëvendësdrejtorin Femi Jonuzi, kryen këqyrje dhe nga afër u njohën me situatën, kushtet në burg, biseduan drejtpërdrejt me të burgosurit dhe u informuan për problemet me të cilat po ballafaqohen, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e drejtësisë thanë se kushtet atje janë të mjerueshme, katastrofale dhe jashtë  standardeve  për vuajtjen e dënimeve me burg, mbipopullimi, të burgosurit që flenë në dysheme, pa kujdes të duhur shëndetësor, pa kushte sanitare të përshtatshme, shtretër të thyer, mure të mykura.

Këto kushte dëshmojnë se përse na duhet urgjentisht një Ligj për amnisti, me të cilin të paktën do të lehtësohen  kapacitetet, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

“Bëhet fjalë për njerëz. Edhe përkundër veprave të kryera ata janë njerëz dhe meritojnë dinjitet. Në vend të risocializimit dhe rikthimit në jetë normale, me këtë trajtim gjendja e tyre mund të përkeqësohet edhe më shumë. Apelojmë që kjo situatë të mos keqpërdoret për qëllime politike, ndërsa deputetët të tregojnë humanizëm dhe të mbështesin Ligjin për Amnisti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kujtojmë se nga Komisioni Evropian gjatë procesit të skriningut, Maqedonia e Veriut është kritikuar shumë në aspektin e respektimit të së drejtave themelore të njeriut. Vendi ka një rekord negativ të rekomandimeve të jashtëzakonshme dhe të përsëritura të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës. Komiteti i ka vlerësuar si çnjerëzore kushtet e paraburgimit në pjesë të Idrizovës. Mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve mbeten: cilësia e dobët e kujdesit shëndetësor, dhuna ndërmjet të burgosurve, kushtet e mjerueshme materiale, mungesa e aktiviteteve të qëllimshme dhe korrupsioni endemik

Edhe pse kuadri ligjor është kryesisht në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, vendi ende duhet të adresojë boshllëqet e mbetura për të harmonizuar plotësisht legjislacionin e saj me atë të BE-së, duke përfshirë Kartën e të Drejtave Themelore dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Maqedonia e Veriut duhet të adresojë vazhdimisht rekomandimet e organeve ndërkombëtare të monitorimit të të drejtave të njeriut. Kapaciteti i përgjithshëm administrativ për garantimin efektiv të të drejtave të njeriut në praktikë duhet të forcohet. Vonesa në emërimin e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit nga Parlamenti ka dëmtuar zbatueshmërinë efektive të të drejtave të njeriut.