Nëntori i festave shqiptare

Nëntori është muaji i dy ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur përgjatë historisë sonë të kreshpëruar. Fjala është për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar, me të cilin u shënua shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, pas shekujsh të tërë të kaluar nën thundrat e të tjerëve.
Për këto ngjarje të mëdha me aromë të mirëfilltë etnie janë shkruar një mori veprash historike, letrare e gjuhësore, por, ne po sjellim në vijim vetëm dy thënie emblematike të dy gjenive shqiptarë,  atë të Sami Frashërit, që ka të bëjë me Gjuhën shqipe  dhe atë të Faik Konicës, që ka të bëjë me Flamurin Kombetar.

Samiu e përsëriste në vazhdimësi se: S’mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla… Ata njerës, që harojnë a lënë gjuhën’ e tyre e flasinë një tjatrë gjuhë, me kohë bëhenë njerëzit’ e atij kombi q’i flasinë gjuhënë e dalinë nga kombëri’ e tyre. Kaqë kombe, që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo kurrë; po u përzienë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë si ata.
Konica ndërkaq thoshte: Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. Cilat janë kujtimet që shfaq, duke valuar, Flamuri ynë? Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash dhe rrëmbimesh: janë kujtime vetëmbrojtjeje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar. Nga kjo pikëpamje mund të mburremi se Flamuri ynë, siç është njëri nga më të vjetrit e botës, është dhe njëri nga më të drejtët.

Këto ditë të mëdha na e kujtojnë të shkuarën e lavdishme historike, po dhe nëpërkëmbjet e përsëritura nga të tjerët, që nuk heqin dorë nga tendenca e rrëmbimit të të drejtave tona.
Megjithatë, edhe përkundër vështirësive me të cilat vazhdojmë të përballemi, e kemi kuptuar më në fund se çelësi që hap dyert e një historie ndryshe prej asaj të stërgjyshërve, është në duart tona. Janë të rinjtë ata që mund ta ndreqin këtë botë pise me armën e fuqishme të dijes, me të cilën do ta gjejnë rrugën e kompensimit të kohës së bërë firë në vorbulla shekujsh. Ata do të dinë të dallojnë më mirë se ne të bardhën nga e zeza, të mirën nga e keqja, dashamirin nga ata që përpiqen t’na tjetërsojnë kubarisht nga nishanet identitare, ata për të cilët Konica thoshte: nuk duan t’na asimilojnë po t’na  zhbëjnë nga faqja e dheut. Të rinjtë do të dinë t’i mbrojnë të drejtat legjitime kolektive dhe individuale. Ata do t’i imponohen botës me vlera dhe profesionalizëm të lartë në të gjitha fushat e dijes. Do të jenë pjesëmarrës dhe hisedarë të mirëfilltë në garën kulturore ndërmjet etnish dhe qytetërimesh, sepse kjo është rruga e vetme që siguron të ardhmen ndryshe. Rrugët tjera shpiejnë në theqafje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.