‘Për shqiptarët, kurrë s’ka qenë më keq në Butel’, punonjësit komunal dhe këshilltarët ankohen se përjetojnë diskriminim, mobing dhe shtypje
Diskriminimi i shqiptarëve në komunën e Butelit të rajonit të Shkupit është thelluar me ardhjen e kryetarit të ri nga radhet e VMRO-së, Darko Kostovski, thonë për Portalb ish-punonjës komunal dhe këshilltarë aktual. Edhe pse numerikisht shqiptarët në këtë komunë janë vetëm 2 mijë banorë më pak se sa maqedonasit, vetëm 6 shqiptarë ka të punësuar në komunë. Por, edhe ata pak që janë, përjashtohen nga puna ose u ndryshohet vendi i punës, shkruan Portalb.mk. Nga Komuna e Butelit, për këtë çështje nuk iu përgjigjën redaksisë sonë ndërkaq këshilltarit të VLEN-it në Butel s’i ka ra në sy diskriminimi.
Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi që në Butel jetojnë gjithsej 40,612 banorë, prej të cilëve 17,794 janë maqedonas, 15,678 shqiptarë dhe në përqindje të vogël turk, rom, vllehë dhe tjerë.
Duke e pasur parasysh numrin e shqiptarëve që jetonë në këtë komunë, ka përfaqësim minimal të tyre në të gjitha organet e pushtetit lokal, sidomos nëse i krahasojmë me të punësuarit që i përkasin përkatësise etnike maqedone.
Portalb-i nga burime të brendshme mëson se nga ardhja e Kostovskit në krye të kësaj komune, shqiptarët kanë filluar edhe mos të aplikojnë në shpalljet për punë – pasi indirekt ose direkt ju bëhet me dije se nuk do të pranohen.
Siguruam dokument me listën e të punësuarve, nga gjithsej 62 vetëm 6 janë shqiptarë, prej të cilëve pjesa më e madhe “bashkëpunëtorë të rinj”.
“Fillimisht na poshtëroi duke na bërë rojtar të kontejnerëve, më pas na nxori nga puna”
Bajram Rexhepi dhe Sulejman Abdulramani po i mbushnin 7 vite pune në komunën e Butelit ndërsa në vitin 2020 me shumë mund arritën t’i marrin vendimet, ndërsa tani, me ardhjen e Kostovskit, ata fillimisht i ulën në detyrë, më pas i përjashtuan nga puna.
Portalb-i bisedoi me Bajram Rexhepin.
“Me ardhjen e Kostovskit në krye të komunës, fillimisht mua bashkë me dy kolegë na u ndërrua vendi i punës, jemi nxjerrë që të punojmë si rendmbajtës komunal, konkretisht jemi dërguar në Radishani t’i ruajmë kontejnerët që njerëzit të mos hedhin mbeturina që janë të ndaluara për t’u hedhur” tha Rexhepi.
Rastësi ose jo, të 3 personat që Kostovski i ka dërguar në Radishani t’iu bëjnë roje kontejnerëve janë shqiptarë. Asnjëri prej tyre më herët s’e ka bë këtë punë, as në vendimet e punës nuk ju shkruan kjo punë.
Megjithatë, ulja në detyrë nuk i mjaftoi udhëheqësisë së re të kësaj komune, Rexhepi dhe Abdulramani u përjashtuan nga puna.
Ata janë përjashtuar me pretendimin se nuk e kanë respektuar orarin e punës dhe detyrën e dhënë. Për këtë, Rexhepi thotë se përpos kamerave të sigurisë, dëshmi që kanë qenë të rregullt në punë posedon edhe në telefonin e tij personal.
“Ne kemi shkuar përditë në punë, për këtë dëshmojnë kamerat e sigurisë si dhe fotografitë që i bëjsha pothuajse çdo natë personave që hudhnin mbetura të cilat nuk ishin të lejuara për t’u hedhur” tha Rexhepi.
Ai thotë se atmosfera ndëretnike në këtë komunë asnjëherë nuk ka qenë më keq.
“Me ardhjen e kryetarit të ri në komunë atmosfera e punës ka ndryshuar plotësisht, veçanërisht për të punësuarit shqiptar. Një pjesë u janë ndërruar vendet e punës, disave u janë ndërpre kontratat ndërsa tjerët për shkak të presionit janë detyruar të japin dorëheqje, edhe ata pak shqiptarë që janë, janë në presion dhe mobing të vazhdueshëm” tha Rexhepi për Portalb.
Për përjashtimet që sipas tyre janë të jashtëligjshme, Bajrami dhe Sulejmani vendosën që të ndjekin rrugën ligjore dhe aktualisht janë në proces gjyqësor me komunën e Butelit.
“Nëse ka ngelë edhe pak drejtësi në këtë shtet, unë jam i sigurt se do ta fitojmë gjyqin pasi është e qartë që përjashtimi im është me tendencë dhe i kundërligjshëm, pasi gjithmonë e kam respektuar edhe orarin, edhe detyrën që më është dhënë, për këtë kam dëshmi materiale nga sistemi elektronik i evidencës si dhe kolegët e mi të punës” tha Bajram Rexhepi.
“Ka diskriminim në çdo fushë, në infrastrukturë, arsim, dhe tjera..”
Lejla Iseni është këshilltare në komunën e Butelit, nga radhët e BDI-së. Për Portalb thotë se së fundmi në këtë komunë ka diskriminim në pothuajse çdo fushë dhe kudo që është e mundur.
“Diskriminimi bëhet çdo ditë nëpër gjitha fushat si në infrastrukturë (lejet e ndërtimit, legalizimet, kushtet elementare etj), arsim si rasti në shkollën e Vizbegut ku nxënësit humbën mësim muaj të tërë etj, mobingu edhe shtypjet në çerdhe dhe administratë.” tha Lejla Iseni.
Iseni thotë shumë shpesh kanë shprehur revoltën e tyre kundër padrejtësive që ju bëhen shqiptarëve në këtë komunë, por hasin në vesh të shurdhër. Ajo tha se kanë kërkuar nga komuna e Butelit të ofrojë dëshmi për përjashtimin sipas saj të padrejtë nga puna të dy shqiptarëve.
“Praktika tregon me largimin nga puna e dy punonjësve shqiptar në administratën e komunës së Butelit nga arsyetimi se nuk e kanë respektuar orarin e punës për disa minuta. Të cekim që njëri nga të punësuarit informohet me anë të telefonatës se është larguar nga puna duke qenë në shfrytëzimin e pushimit vjetor. “ tha Iseni.
Asnjë dëshmi që këta punonjës s’e kanë respektuar orarin e punës ose detyrën e dhënë nuk u janë ofruar këshilltarëve komunal, përkundër kërkesave. Iseni shtoi se “duhet cekur se të punësuarit shqiptar në komunën e Butelit hasin përditë në mobing duke marrë nga dy-tre vërrejtje pa baza ligjore.”
Këshilltarit të VLEN në Butel s’i ka ra në sy diskriminimi ndërsa komuna nuk përgjigjet
As numri i vogël u punonjësve shqiptar, as diskriminimi i shqiptarëve në fusha të ndryshme s’i ka hy nëpër vesh këshilltarit të VLEN-it në këtë komunë, Vullnet Selimit. Ai arsyetohet me faktin që si këshilltarë është emëruar vetëm para 1 muaji.
“Unë detyrën e këshilltarit e kam marrë afro muaji më parë dhe gjatë kësaj periudhe kam marrë pjesë vetëm në dy seanca të Këshillit komunal. Sa i përket çështjeve që keni përmendur deri tek une si këshilltar nuk ka ardhur ndonjë ankesë apo informatë” tha Vullnet Selimi.
Përkundër kësaj përgjigje të Selimit, mësojmë se këshilltari tjetër i VLEN-it në këtë komunë, Sead Arsllani, në seancë të këshillit që është mbajtur para disa javësh ka reaguar ashpër kundër kryetarit të komunës, Darko Kostovski, për përjashtimin e dy shqiptarëve nga puna si dhe për padrejtësitë tjera.
VLEN-i gjatë fushatës disa herë kishte takuar banorët shqiptar të Butelit, të cilëve ju kishin që do t’i përfaqësojnë denjësisht në organet e pushtetit lokal të kësaj komune, por duken shumë të heshtur sot që ka akuza se kryetari i komunës, Darko Kostovski, që vjen nga radhët e partisë bashkëqeverisëse, VMRO DPMNE-së, i diskriminon shqiptarët.
Për të gjitha këto, pyetje dërguam edhe në komunën e Butelit por nuk morëm përgjigje.
Rikujtojmë që kryetari i kësaj komune, Darko Kostovski, në qershor të vitit të kaluar ishte ‘cak’ i kritikave nga partitë shqiptare për shkak të nismës për t’i ndryshuar emrat e rrugëve, kryesisht për t’i zëvendësuat ato shqiptare me maqedonas. Përpos kësaj, ueb-sajti i komunës së Butelit as edhe një shkronjë nuk e ka në gjuhën shqipe.