Protesta në Gjeorgji pasi qeveria ngriu kandidaturën e saj për në BE deri në fund të vitit 2028
Partia në pushtet në Gjeorgji ka njoftuar të enjten se do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian deri më 2028, duke refuzuar edhe grantet buxhetore nga Brukseli. Praktikisht ka ndalur aplikimin për t’iu bashkuar bllokut, që ishte një synim i kahmoçëm i Gjeorgjisë, raporton agjencia “Reuters”.
Si kundërpërgjigje, mijëra protestues pro-BE bllokuan rrugët në kryeqytetin Tbilisi, ndërsa presidentja Salome Zourabichvili ka thënë se Qeveria i ka shpallur “luftë” popullit me këtë lëvizje.
Blloku qeverisës “Ëndrra Gjeorgjiane” ka akuzuar BE-në për “fyerje”. Në një deklaratë tha se Brukseli se po e përdor mundësinë e bisedimeve për anëtarësim për ta “shantazhuar” vendin, dhe për “të organizuar një revolucion në vend”.
“Si rezultat, ne kemi vendosur të mos e vendosim në rend të ditës çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2028. Gjithashtu, ne refuzojmë çdo grant buxhetor nga Bashkimi Evropian deri në fund të vitit 2028”.
Gjeorgjia, me 3.7 milionë banorë, ka të shënuar në Kushtetutë qëllimin për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe tradicionalisht ishte më pro-Perëndimorja nga shtetet e dala nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm.
Marrëdhëniet e Gjeorgjisë me Brukselin janë prishur dukshëm në muajt e fundit, pas akuzave të BE-së për autoritarizëm dhe tendenca pro-ruse të qeverisë gjeorgjiane.
Bashkimi Evropian kishte thënë më herët se aplikimi i Gjeorgjisë është “ngrirë”.
“Ëndrra Gjeorgjiane” insiston se nuk është pro-ruse, dhe thotë se është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe integrimit në Perëndim.
Thotë se dëshiron t’i bashkohet BE-së dikur.
Më herët të enjten, kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, kishte thënë se anëtarësimi në BE mund ta dëmtonte ekonominë e Gjeorgjisë, pasi do të kërkonte që Tbilisi t’i ndalonte marrëveshjet tregtare me shtetet tjera.
BE-ja ia dha Gjeorgjisë statusin e shtetit kandidat në dhjetor të vitit 2023.