Në vend të Izet Mexhitit për nënkryetar të BDI-së emërohet Bujar Osmani

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim në në mbledhjen e sotme të mbajtur në selinë e partisë ka vendosur që nga posti nënkryetar i partisë të shkakrkojë nënkryetarin e deritanishëm Izet Mexhiti, i cili më 17 korrik filloi aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik. Siç kumtojnë nga BDI, për nënkryetar të partisë është emëruar Bujar Osmani, njofton Portalb.

Siç potencojnë në kumtesën partiake, Kuvendi në vend të Izet Mexhitit, Visar Ganiut dhe Saranda Imerit, për anëtarë të Kryesisë Qendrore të BDI-së janë emëruar Bekim Neziri, Ilir Hasani dhe Arta Bilalli. Bilalli si sekretare do të drejtojë departamentin për barazi gjinore.

“Kryetari Ahmeti trajtoi shqetësimet për krijimin e një qendre hibride politiko-ekonomike kundër BDI-së, duke shprehur përkushtimin e partisë për parimet demokratike dhe vendosmërinë për të vazhduar punën në drejtim të avancimit të vlerave e standardeve sistemore në Maqedoninë Veriut.
Kryetari Ahmeti dhe Këshilli i Përgjithshëm dënoi sulmin ndaj zëvendëskryeminstrit të parë, Artan Grubi, duke e cilësiar si sulm ndaj BDI-së”, thuhet në kumtesën partiake.

 

Ahmeti, siç potencojnë nga partia, ka theksuar se vendi ndodhet në një pikë kritike sa i përket perspektivës sonë evropiane dhe ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për të ecur në këtë rrugë. Ai është shprehur se ankorimi i pakthyeshëm i Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane është forma më e lartë e patriotizmit për të gjitha komunitetet dhe qytetarët.

Izet Mexhiti, i shoqëruar nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu më 17 korrik i filloi aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik. Pas mbledhjes së mbajtur rreth gjysmë ore, nismëtarët për themelimin e lëvizjes së re, paralajmëruan që më 13 gusht do të themelohet kjo parti, duke mos specifikuar emrin e nismës.