Ademi: BDI ka ende 15 deputetë, Mexhiti dhe Koxhaxhiku nuk kanë njoftuar se po largohen nga grupi parlamentar

Grupi parlamentar i BDI-së formalisht ka ende 15 deputetë sepse Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku nuk kanë njoftuar se do të largohen, thotë deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar Arbër Ademi, transmeton Portalb.mk.

“Grupi ynë parlamentar numëronte 15 deputetë, por formalisht ka ende e ka këtë numër, pasi unë si koordinator i grupit parlamentar ende nuk kam vendim formal për shkëputje të deputetëve nga grupi parlamentar. Deri më tani nuk kam pasur njoftim që grupi parlamentar është zvogëluar apo është rritur”, tha Ademi në edicionin veror të “Click Plus” në Tv 21.

Për largimin e Izet Mexhitit nga partia dhe njoftimin se formimi i një lëvizjeje të re politike do të zyrtarizohet më 13 gusht, Ademi pohon se e kanë marrë vesh nga mediat. Ademi, siç tha ai, shpreh keqardhje për vendimin e Mexhitit për t’u larguar nga partia dhe shton se sipas tij, ai është trajtuar mirë nga BDI dhe Ahmeti.

“Për përcaktimin e ri politik jemi informuar nga mediat, me këtë rast dua të theksoj se janë persona të rëndësishëm që kanë mbajtur pozita të larta politike dhe partiake dhe janë trajtuar shumë mirë në BDI”, ka shtuar Ademi.

I pyetur nëse BDI ka frikë nga lëvizja politike e Izet Mexhitit, Ademi u përgjigj jo duke thënë se është një organizatë politike e organizuar mirë, e themeluar që ka kaluar nëpër procese të ngjashme jo një herë por shumë herë.

Ademi thotë se Bashkimi Demokratik për Integrim është në ditët më të mira dhe është në nivelin më të lartë të besueshmërisë në opinionin publik dhe kjo falë vizionit të Ali Ahmetit, i cili e ka bërë BDI-në një parti të qëndrueshme për 22 vjet.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, të cilat tashmë do të jenë në seancë plenare në Kuvend më 18 gusht, Ademi thotë se nuk kanë biseduar individualisht me deputetët e opozitës, por se nuk është mirë të kushtëzohen.

“Ne nuk pranojmë kushte të reja dhe VMRO-DPMNE nuk duhet të flasë për zgjedhje të parakohshme, por për gjeneratat dhe perspektivat e ardhshme”, shton ai.

Ademi thotë se amendamentet kushtetuese kanë prioritet në parti dhe janë të gatshëm të largohen nga Qeveria dhe të heqin dorë nga avancimet tjera që do t’i takonin kësaj partie.

“Vetëm votoni amendamentet kushtetuese, le të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese dhe ne lirojmë Qeverinë pa asnjë kërkesë shtesë, politike, partiake të trashëguar nga kjo aktuale. Nuk duam asgjë”, ka thënë Ademi.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së thotë se si parti nuk i frikësohen frontit opozitar sepse, siç thotë Ademi, skena politike në vend ka shumë aktorë, por vetëm një faktor, dhe ai sipas tij është Ali Ahmeti.

“Kur flasim për partitë ekzistuese opozitare Besa dhe Alternativa, do të thoja se ka shumë aktorë politikë në skenën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por faktori është një dhe i vetëm, ai është Ali Ahmeti”, tha Ademi.

Arrestimi i Ismet Gurit dy ditë më parë, Ademi thotë se nuk ka të bëjë me zhvillimet politike dhe se Ali Ahmeti nuk po merret me, siç tha, “kurthe”.

Më 17 korrik, Izet Mexhiti filloi sktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.