Në Tetovë mungojnë mbi 21 mijë libra vetëm në shkollat fillore, MASh mohon
Viti i ri shkollor ka filluar me problemin e vjetër për nxënësit e Tetovës, mungesën e librave. Vetëm në shkollat fillore mungojnë mbi 21 mijë libra, ndërsa nëpër shkollat e mesme nuk ka shifër konkrete, raporton Portalb.mk.
Pavarësisht premtimeve të shumta, dy javë pas fillimit të vitit shkollor nxënësve në Tetovë ende ju mungojnë shumë libra.
“21,425 libra mungojnë në shkollat fillore nga mbi 40 mijë që mungonin vitin e kaluar. Për shkollat e mesme janë duke u përpunuar te sektori”, thanë nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se informatat se mungojnë tekstet shkollore në shkollat e Tetovës janë të pasakta.
“Këtë vit shkollor, sipas kërkesave të Komunës së Tetovës përmes aplikacionit elektronik për raportimin e nevojave për tekste, ministria ka dorëzuar mbi 20 mijë tekste dhe 9 mijë fletore pune, për të gjitha lëndët për të cilat ka tekste të miratuara dhe janë shtypur”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Nga MASh-i theksuan se në kërkesën e komunës, janë të listuara edhe tekste për lëndët për të cilat në fakt sipas Konceptit të Arsimit Bazë nuk prodhohen tekste p.sh arti, muzika, edukata fizike e kështu me radhë.
“Si dhe për gjuhët e huaja për të cilat procedura është anuluar nga udhëheqësia e mëparshme është në fazën e ankimimit dhe pas përfundimit do të publikohet sërish. Nga këtu ka ardhur informacioni se në Tetovë mungojnë tekstet shkollore dhe e konfirmojmë edhe një herë se është e pasaktë”, thanë nga MASh.
Vitin e kaluar në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë mungonin mbi 45 mijë libra, ndërsa Komuna e Tetovës dhe Ministria e Arsimit akuzonin njëra tjetrën.
Ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.
- LEXO: Nxënësve në Tetovë ju mungojnë librat, MASH dhe Komuna e Tetovës grinden
- LEXO: Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 45.000 libra, reaguan nga komuna
- LEXO: Protestë nga nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, nuk kanë libra
- LEXO: Përplasje midis MASh dhe Komunës së Tetovës për mungesën e librave