Në Teatrin e Tetovës vjen “Shtëpia pa dritare”, një komedi me nota dramatike
Teatri i Tetovës ka njoftuar nisjen e punës për shfaqjen më të re komike, “Shtëpia pa dritare”, një vepër që premton të sjellë humor, por edhe reflektim për realitetin që na rrethon, shkruan Portalb.mk.
Sipas njoftimit, veprën do ta sjellë në skenë vetë autori Saimir Gongo, ndërsa në role do të paraqiten aktorët: Muzafer Etemi, Petrit Neziri, Elmir Sejfullai, Merita Limani Mustafa, She Ilazi, Hasim Memishi Sopi dhe Arta Zejneli.
Për anën vizuale të shfaqjes do të kujdesen skenografi Bige Kocista dhe kostumografja Azra Memedi.
Nga Teatri i Tetovës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një histori që synon jo vetëm të argëtojë publikun, por edhe të ofrojë një këndvështrim ndryshe mbi realitetin përreth.
“Sot hapim derën… e një shtëpie pa dritare”, thuhet në njoftimin promovues të teatrit, duke lënë të kuptohet se publiku do të përballet me një shfaqje plot mesazhe, humor dhe situata të veçanta skenike.

Aktori Muzafer Etemi për Portalb.mk tha se kur punon një personazh, gjithmonë kërkon çfarë ka të përbashkët me të. Me Neritanin ende është në fazë hulumtimi dhe çdo ditë mundohet ta kompletoj si karakter.
“Githmonë kur angazhohem në teatër e para punë që bëj kërkoj të gjej të përbashkëtat e mia dhe personazhit. Sfida më e madhe është kur asgjë nuk na bashkon. Megjithate ne jemi njerëz prej mishi dhe gjaku dhe dicka-dicka do kemi të përbashkët, dhe nga aty fillon brumosja e karakterit qe duhet të ndërtoj. Me pas kërkoj vyrtitet apo veset varësisht nga personazhi. Dhe perderisa kemi shumë gjera të perbashketa “beteja” me personazhin nuk është shumë e ashpër, po kur jemi larg, apo nuk kemi gjëra të përbashkëta me karakterin që duhet luajtur atëherë sfida është më e madhe. Por bukuria e ndërtimit të një karakteri qëndron aty, te dallimet, aktor-personazh. Në rastin konkret, vazhdoj të jem në fazë hulumtimi për ta ndërtuar personazhin e Neritanit. Pa dyshim që çdo personazh ka të veçantat e tij por bukuria qëndron te befasia. E dua Neritanin dhe për çdo ditë mundohem ta kompletoj si karakter, kuptohet në koordinim me regjisorin”, tha Etemi.
Ai shtoi se te karakteret komike, gjithmonë është munduar të ndërtojë personazhe që e bëjnë publikun të qeshë natyrshëm, jo role që kërkojnë me çdo kusht të nxjerrin të qeshura.
“Kur jemi te karakteret komike, gjatë gjithë karierës sime jam munduar të ndërtoj personazhe që e bëjnë publikun të qeshë dhe kursesi karaktere që duhet publiku të qeshë. Mendoj se këtu ka dallim thelbësor. Nganjëherë duke dashur me cdo kusht ta bëjmë publikun të qeshë, rëshqasim nga teatri serioz te estrada apo edhe më keq te tallava-teatri. Te “Shtëpia pa dritare” e autorit dhe regjisorit Saimir Gongo, janë pikërisht situatat mjaftë dramatike për Neritanin, por që pulikun e bëjnë të qeshë dhe njëkohësisht t’i vijë keq. Situatat e njëpasnjëshme, “lëkundin” karakterin e Neritanit, i cili është një qytetatar i ndershëm dhe me parime, por ja që vallja ka filluar të luhet mbrapsht dhe se këmbët e cojnë andej nga nuk duhet dhe nuk do. Edhe me Neritanin, si zakonisht, dua t’i flas publikut. Për fatin tonë, Tetova ka mjaft adhurues teatri, dhe të kultivuar dhe jam shumë i sigurt se do ta presë këndshëm këtë vepër. Neritani është vetë gjendja jonë si shoqëri, dhimbja jonë. Po këtu qëndron edhe mjeshtria e autorit, i cili përmes kësaj komedia na “flakaresh shuplakë” ne na vjen keq, bashkëndjejmë dhe qeshim. Pikërisht këtu qëndron edhe madhështia e një vepre, kur ajo të shkundë, të trazon, të bën të qeshësh dhe të ngacmon të mendosh, tha Etemi.
Shfaqja “Shtëpia pa dritare” pritet të sjellë një ndërthurje të veçantë mes humorit dhe dramës, duke i ofruar publikut jo vetëm të qeshura, por edhe momente reflektimi për realitetin shoqëror.