Në Shkup u mbajt protesta e radhës “Stop për Ujsen”

Aktivistët mjedisorë nga iniciativa “Stop për Usjen” dhe qytetarë protestuan sot kundër ndotjes së ajrit dhe kërkuan që fabrika e çimentos “Usje” të punojë sipas standardeve mjedisore sepse, thanë ata, shkupjanët kanë të drejtë për shëndet dhe jetë, raporton MIA.

 Marshimi protestues filloi nga Qeveria përmes Parlamentit dhe përfundoi para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), nga e cila kërkuan të vendosë sipas standardeve më të mira evropiane kur më 12 mars fabrika e çimentos do të aplikojë për rinovimin e lejes së saj të integruar A.

Dragan Kavrakov, teknolog i diplomuar i cili jeton pranë fabrikës së çimentos, tha se është i prekur drejtpërdrejt, duke thënë se sipas lejes A-të integruar që “Usje” ka tani, mund të prodhojë 1.750.000 ton çimento në vit dhe se sasia e karburantit që i nevojitet për djegie është afërsisht dyfishi i sasisë që shpenzojnë të gjitha automjetet në Shkup për një vit.

Pjesëmarrësit në protestë kërkuan që “Usje” të jetë një kompani me përgjegjësi shoqërore dhe të lejojë matje publike dhe të pavarura 24 orë drejtpërdrejt nga oxhaqet e fabrikës së çimentos, sepse përndryshe, thanë ata, po rritet dyshimi tek qytetarët.

Deri tani për shkak të ndotjes së ajrit, janë mbajtur dy protesta para fabrikës së çimentos “Titan Usje”, ku qindra qytetarë dolën për të kërkuar ndalimin e ndotjes së vazhdueshme ajrore.

Iniciativa deri tani ka dërguar kërkesa te disa institucione, të cilat i ka publikuar edhe në mënyrë të hapur.

Kërkesat kanë qenë të fokusuara te monitorimi i vazhdueshëm dhe transparent i ndotjes, dënime të rrepta dhe ndalim i aktivitetit kur tejkalohen kufijtë, përputhje me standardet e OBSH-së, kalim te energjitë më të pastra dhe heqja e pengesave ligjore që kufizojnë qasjen e publikut, me qëllim kontroll të plotë dhe reduktim të ndotjes industriale.

Para disa ditësh, nga kompania “TITAN Usje” përsëritën se emetimet nga veprimtaria e tyre janë vazhdimisht nën vlerat kufitare të përcaktuara me ligj dhe se që nga viti 2007 ato monitorohen 24 orë.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.