Grumbull mbeturinash në mes të Çairit, pranë rrugës “Ferid Murad”
Një grumbull mbeturinash është vërejtur sot pranë rrugës “Ferid Murad”, në mes të Çairit. Nga mbeturinat e grumbulluara vinte erë e rëndë, ndërsa problemi me higjienën publike në këtë komunë vazhdon të jetë shqetësim prej vitesh, shkruan Portalb.mk.
Mbeturinat e grumbulluara dhe kontejnerët e stërmbushur kanë qenë vazhdimisht problem në pjesë të ndryshme të Çairit. Përveç ankesave të qytetarëve, kjo çështje ka nxitur edhe përplasje mes pushtetit lokal dhe Qytetit të Shkupit për përgjegjësinë e mirëmbajtjes së pastërtisë.
Në korrik të vitit 2023, pas protestës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, të cilët ndërprenë mbledhjen e mbeturinave, në disa lagje të Çairit kontejnerët ishin të stërmbushur dhe kundërmonin erë të keqe.
Problemi u shoqërua me përplasje edhe në maj të vitit 2025, kur ish kryetari i Çairit, Visar Ganiu, së bashku me një grup qytetarësh, dërgoi një kamion me mbeturina para objektit të Qytetit të Shkupit. Ganiu akuzoi ish kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska, dhe “Higjienën Komunale” për mosmirëmbajtjen e pastërtisë në Çair, ndërsa Arsovska e kritikoi për këtë veprim.
Kujtojmë se, sipas të dhënave të “Higjienës Komunale”, gjatë muajit shkurt në Shkup janë përgatitur gjithsej 100 procesverbale për hedhjen e parregullt të mbeturinave, prej të cilave 54 në Komunën e Çairit.