Në Shkup edhe sot ka kufizime në komunikacion për shkak ardhjes së Albin Kurtit

Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që komunikacioni në qytetin e Shkupit do të organizohet me kufizime edhe sot ashtu sikurse dje për për shkak vizitës së paralajmëruar të kryeministrit Albin Kurti, transmeton Portalb.mk.

“Sot dhe nesër (09. dhe 10.02.2024) me rastin e vizitës së paralajmëruar të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmerr masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër rrugët në rajonin më të gjerë të qendrës së qytetit të Shkupit”, njoftoi dje Ministria për Punë të Brendshme.

Ndryshe, paneli me temë “Politikat progresive – përgjigje ndaj sfidave të vendeve të Ballkanit Perëndimor” do të mbahet sot, në ora 18:30, në Hamam Daut Pasha, organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert – zyra në Shkup.

Në panel do të flaasin kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Lars Klingbeil, kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Serbisë Dragana Rakiq, lideri i Partisë për liri dhe drejtësi Dragan Gjilas, pastaj i pari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi Ivan Vujoviq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi Ivan Vukoviq.