Qeveria e RMV-së nuk iu përgjigjet pyetjeve gazetareske ndërsa shqip komunikon “sipas qejfit”

Qeveria e Maqedonisë Veriut prej disa muajsh nuk iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për çështje me interes publik. As zëdhënësit e Qeverisë nuk përgjigjen për t’iu bërë vërejtje dhe për t’i “kujtuar” të kthejnë përgjigje. Para këtyre muajve, në përgjithësi Qeveria ka qenë në dispozicion dhe e hapur me gazetarët, por tani është e pakapshme. Në këtë rast, gazetarët detyrohen që përgjigjet t’i marrin përmes ankesës në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, shkruan Portalb.mk.

Por kjo mënyrë e kërkimit të përgjigjes merr kohë dhe mund të madh për ndoshta një pyetje të thjeshtë, pasi sipas Ligjit për qasje në informacionet me karakter publik për të parashtruar ankesë duhet pritur 21 ditë nga parashtrimi i kërkesës për informacion dhe 20 deri 30 ditë të tjera ka afat poseduesi i informacionit që t’ përgjigjet kërkuesit.

“Nëse poseduesi i informacionit nuk i mundëson kërkuesit qasje në informata brenda afatit të përcaktuar në nenin 21 të këtij ligji dhe nëse nuk sjellë dhe nuk i paraqet kërkuesit vendim nga paragrafi (2) i këtij neni, konsiderohet se kërkesa është refuzuar, pas çka mund të paraqesë ankesë”, thuhet në Ligjin për qasje të lirë në informacionet me karakter publik.

Ankesa dërgohet direkt në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacionet me karakter publik , por mund të parashtrohet edhe përmes poseduesit të informacionit.

Kështu, një përgjigje që mund të merret për vetëm disa ditë, në këtë mënyrë, që si zakonisht e përdorim si instancën e fundit, zgjat deri në dy muaj.

Gazetarët e Portalb.mk, prej dy muajsh dërgojnë pyetje por deri tani nuk ka ende përgjigje dhe me gjasë për pyetjet tona duhet ti drejtohemi Agjencisë në fjalë.

Pyetjet drejtuar Qeverisë janë:

Pyetje nga Portalb.mk – 9 janar 2024

Pyetje gazetareske për Qeverinë e RMV-së 

– Kur do të nënshkruhet marrëveshja për investimin strategjik nga kompania italiane “Techno Alpin” në Kodrën e Diellit, a është përcaktuar afat konkret, nëse jo pse? Na jepni më tepër detaje se ku ka  mbetur ky proces.

– Pse ende nuk ka filluar ndërtimi i fabrikës për vetura elektrike në Tetovë, ku ka ngecur ky proces, na njoftoni më detajisht për këtë projekt se kur pritet të përfundojë?

Pyetje nga Portalb.mk – 11 janar 2024

Kritika të njëpasnjëshme vijnë nga BE-ja ndaj Maqedonisë së Veriut për mënyrën jotransparente të prokurimeve publike. Herën e fundit kjo çështje u kritikua në raportin e skriningut, ndërsa tani edhe në Raportin e progresit. Fusha e Prokurimit publik në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar si mesatarisht e përgatitur, me progres të kufizuar në periudhën raportuese. “Kapaciteti i institucioneve kryesore, autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë duhet të rritet përmes trajnimeve të vazhdueshme”, thuhet në raportin e KE-së.

“Dhënia e drejtpërdrejtë e kontratës për ndërtimin e Korridorit VIII dhe X-d ngre shqetësime pasi e përjashton projektin nga zbatimi i ligjit për prokurimin publik”, thotë raporti.

  • Pyetjet ndaj Qeverisë janë nëse po ndërmerret ndonjë masë për të përmirësuar situatën dhe çfarë po ndërmerret?
  • A ka ndonjë plan për të pastruar pasqyrën e keqe që ka vendi në fushën e prokurimeve publike?
  • A mendoni se do të përmirësoni vlerësimin e KE-së n raportin e radhës, sepse raportet e fundit në këtë fushë janë pothuajse të njëjta prej vitesh?
  • Koment për shqetësimin e BE-së lidhur me kontratën për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10d?
Ju lutemi të na ktheni përgjigje konkrete për pyetjet e sipërshënuara.
Pyetje nga Portalb.mk – 6 shkurt 2024
Posta e Maqedonisë së Veriut nuk i ka dorëzuar të dhënat për punonjësit e saj që nga viti 2016 në Ministrinë për Shoqëri Informative dhe Administratë (MShIA), në mënyrë që ata të regjistrohen në Regjistrin e të punësuarve në sektorin publik.
MPB thotë se për këtë është informuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Pse nuk janë marrë masa nga Qeveria deri më tani?

Vazhdon praktika e komunikatave të parregullta në gjuhën shqipe

Dërgimi i komunikatave në gjuhën shqipe ende vazhdon të jetë problem për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe shkelje e ligjit të gjuhëve.Portalb.mk, ka analizuar për 8 ditë komunikatat e dërguara nga Qeveria gjatë muajit shkurt dhe 5 ditë të tjera nga muaji janar.

Me 8 shkurt 2024 nga gjithsej 5 komunikata dy komunikata janë dërguar vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa tre komunikata të tjera në të dyja gjuhët.

Me 7 shkurt 2024 nga gjithsej 3 komunikata, 2 janë dërguar në të dyja gjuhët dhe një vetëm në gjuhën maqedonase.

Me 6 shkurt 2024 nga gjithsej 6 komunikata të dërguara, 4 janë në të dy gjuhët, ndërsa 2 janë vetëm në gjuhën maqedonase.

Me 5 shkurt 2024 nga gjithsej 3 komunikata, dy janë në dy gjuhë dhe një vetëm në gjuhën maqedonase.

Me 04 shkurt 2024 janë dërguar 5 komunikata, të gjitha në gjuhën maqedonase. Edhe pse 90% e tyre kishin të bënin me Goce Dellçevin dhe njëra me korrupsionin, sërish Qeveria e ka për obligim që komunikatat t’i dërgojë në dy gjuhë.

Me 3 shkurt 2024 janë dërguar vetëm dy komunikata, poashtu të dyja vetëm në gjuhën maqedonase.

Me 02 shkurt 2024 janë dërguar 3 komunikata, dy edhe në gjuhën shqipe dhe një vetëm në gjuhën maqedonase.

Ndërsa me 1 janar nuk kishte asnjë komunikatë nga Qeveria.

Ndërkohë, nga datat 26-31 janar nuk ka asnjë komunikatë në gjuhën shqipe. Të gjitha janë dërguar në gjuhën maqedonase. Para datës 26 janar, është përdorur praktika e Qeverisë kryesuar nga kryeministrat e LSDM-së, ku komunikatat në fillim ndërgoheshin në gjuhën maqedonase, pasa disa orësh edhe në gjuhën shqipe, ose nuk përktheheshin fare.

Por mes dy qeverive, nuk është se ka ndonjë dallim të madh, ajo që vërehet si ndryshim është se me në krye Talat Xhaferin, komunikatat shqip dërgohen paralelisht me ato në gjuhën maqedonase. Gjithashtu, ajo që bie në sy gjatë kësaj Qeverie është se në shqip përkthehen vetëm komunikatat ku si “protagonist” e kanë kryeministrin Xhaferi, ndërsa lidhur me anëtarët tjerë të Qeverisë, nuk dërgohen fare komunikata edhe në shqip. Në raste të rralla dërgohen komunikata në shqip, kur nuk ka të bëjë me Xhaferin edhe atë në lajme tepër të rëndësishme.

Në rast të mos zbatimit të këtij Ligji parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit
përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.