Në Pogradec u zbulua palafiti më i vjetër në Evropë, kërkime edhe në Maqedoni

Gjurmë të lashta mbi 8500 vjeçare, ose 6000 vjet para Krishtit janë konstatuar para disa ditësh nga arkeologë të vendit e të huaj në Lin të Pogradecit. Mendohet se ka edhe një zonë të tillë palafite e cila është në kufi me Maqedoninë, ndaj hetimet nga arkeologët vazhdojnë. Një zonë e tillë e hapur për turistë ndodhet në Ohër, shkruan Portalb.mk.

 

Gjetjet nga Instituti Arkeologjik
Gjetjet nga Instituti Arkeologjik

Aktivisti nga Pogradeci, Genti Çela na njofton për ngjarjen.

Ai për Portalbin thekson: ” Këto janë vendbanime nga 8500 deri në 9000 vite të lashta. Universiteti i Bernit në Zvicër nisi gërmimet bashkë me një grup arkeologësh nga vendi. Laboratori i Oxfordit disa ditë më parë provoi se materialet e gjetura aty, ishin të asaj kohe.

Më i vjetri deri tani që ka qenë i regjistruar ndodhet në Zvicër, ky i gjetur në Lin është dy mijë vite më i hershëm se ai i Zvicrës.

Krahas vendbanimeve, ka qene e zhvilluar dhe nje lloj ferme bujqësore e cila nga aty, ishte shtrirë në Itali” përfundoi ai.

Kërkimet arkeologjike në zonë po kryhen nga një ekip shqiptaro-zviceran drejtuar nga erkeologët Albert Hafner (Universiteti i Bernës), Ilir Gjipali e Adrian Anastasi arkeologë nënujorë.

Studimet dhe kërkimet e deritanishme, të cilat kanë nisur që në vitin 2019, flasin për gjetjen e rrënojave të një mënyre jetese të rrallë, që njihet ndryshe me termin palafite.

Gjetjet nga Instituti Arkeologjik
Gjetjet nga Instituti Arkeologjik

Por çfarë është palafiti?

Janë vendbanime të cilat janë ndërtuar mbi platforma druri mbi liqen ose në tokë me qëllim që banimi të jetë i sigurt ndaj vërshimeve. Sigurisht, ekspertët thonë se ka qenë një investim i kushtueshëm dhe që kushton dhe shumë kohë, por kjo ka qenë mënyra e jetesës dhe e ndërtimit të vendbanimeve para Neolitit në këto anë.

Këto zbulime do të jenë një vlerë turistike për rajonin e Pogradecit,Drilonës dhe Maqedonisë së Veriut pasi kërkimet bëhen në ujërat e këtyre vendeve.

Gjetjet nga Instituti Arkeologjik
Gjetjet nga Instituti Arkeologjik

Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Europian.

Kjo ekspeditë po zhvillohet në tre shtete; Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqëndruar në sitin e Linit nga vijnë edhe rezultatet e para për tu zgjeruar nga kufiri me Maqedoninë me ç’rast edhe do të përmbyllen kërkimet për sivjet me një punë të suksesshme dhe rezultat mbresëlënës.