Në përvjetorin e 31-të, për herë të parë u përkujtua “Ngjarja e Bit Pazarit” në Komunën e Çairit

Sot në orët e pasdites në hapësirat e Këshillit të Komunës së Çairit, u shënua Akademia përkujtimore “Ngjarjet e Bit Pazarit të vitit 1992”, nën organizimin të Komunës së Çairit, ku u përkujtua tragjedia ku u vranë tre qytetarë të pafajshëm shqiptar, transmeton Portalb.mk.

Në prani të familjarëve të viktimave të “Ngjarjes së Bit Pazarit” u përkujtua kjo ngjarje tragjike përmes pikave të ndryshme artistike, fjalimeve dhe një dokumentari të shkurt.

Me himnin kombëtar dhe inserte nga varrimi i viktimave filloi ky aktiviteti. Programi u begatua me një poezi të shkrimtarit të ndjerë, Ramadan Zejneli, që u recitua nga artistja Valdeta Ismaili, ndërsa kënga “Krisi pushka në Bit Pazar” që ishte përgatitur në vitin 1992 nga Emin Gaxha dhe Nexhat Suma, u këndua nga ky i fundit.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, e vlerësoi si papërgjegjësi që deri më tani nuk është përkujtuar kjo ngjarje. Ai premtoi që kjo ngjarje do te dokumentohet si libër dhe monument, ndërsa çdo vit do të realizohet kjo akademi, që gjeneratat e ardhshme mos ta harrojnë.

Në emër të familjarëve foli Muhijedin Sejfullai, vëllai i viktimës. Ai theksoi që familjarët e tyre u vranë vetëm se ishin shqiptarë, nga policët vrasës që ishin të armatosur deri në dhëmb.

Përkujtojmë që më 6 nëntor të vitit 1992, në hapësirat afër tregut të Bit Pazarit në Shkup, u vranë Safet Sejfullahu, Sulejman Memishi dhe Shemsedin Ibrahimi, ndërkohë ishin plagosur dhjetëra qytetarë të pafajshëm.