Vetëm për nëntë muaj, Maqedonia e Veriut shënoi deficit tregtar mbi 2 miliard euro

Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua deficit tregtar në vlerë prej 2 005 539 000 euro si rezultat i dallimit ndërmjet importit dhe eksportit, transmeton Portalb.mk.

“Vlera e përgjithshme e mallrave të eksportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e shprehur në euro, në periudhën janar – shtator të vitit 2023, është 6 240 474 000 euro, ndërsa vlera e mallit të importuar, në periudhën e njëjtë, është 8 246 013 000 euro”, sqaroi Enti Shtetëror i Statistikave.

Eksporti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka shënuar rritje prej 1.4 përqind ndërsa importi 8.4 përqind më pak. Enti theksoi që mbulimi i importit me eksport, në janar-shtator të vitit 2023, është 75.7 përqind.

“Në periudhën janar-shtator të vitit 2023, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit tregtar, Republika e Maqedonisë së Veriut ka tregtuar më shumë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Kinën dhe Serbinë”, njoftoi Enti.