Katastrofa ekologjike në lumin e Kumanovës, ekskavatori i komunës ‘sa për sy e faqe’ (VIDEO)
Lumi i qytetit të Kumanovës është shndërruar në një shtrat mbeturinash. Qeset plastike, shishe të hedhura dhe hedhurina të tjera e kanë mbuluar sipërfaqen e ujit. Lumi i është kthyer në një pasqyrë të tragjedisë mjedisore, shkruan Portalb.mk.
Pamjet që sjell Portalb.mk nga lumi nuk lënë shumë hapësirë për fjalë që mund të përshkruhet gjendja.
Më 12 gusht, kryetari aktual i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ishte lavdëruar në Facebook se po e pastronte shtratin e lumit.
“Komuna e Kumanovës aktualisht po pastron shtratin e lumit “Kumanovka”. Përmes këtij aksioni largojmë mbeturinat, bimësinë e egër dhe përmirësojmë rrjedhën e ujit, për një mjedis më të pastër dhe parandalimin e përmbytjeve. Ekipet e punës janë të angazhuara në terren, duke punuar me përkushtim për ta bërë qytetin më të sigurt dhe më të bukur për të gjithë ne. U bëjmë apel qytetarëve: të mbrojnë natyrën, të mos hedhin mbeturina në lumenj dhe të kontribuojnë në përgjegjësinë e përbashkët”, shkroi i pari i komunës Dimitrievski.
Të shumta kanë qenë edhe reagimet e qytetarëve në vet postimin e Dimitrievskit.
“Kjo duhet të jetë punë e zakonshme e institucioneve përgjegjëse, e jo për t’u lavdëruar në facebook”, ka shkruar Aleksandra Popovska.
“Po afrohen zgjedhjet. Duhet ta tregoni veten”, ka shkruar Laste Stamenkovski.
“Nuk ju kemi parë prej kur jeni ulur në funksion, tash para zgjedhjeve jeni bë engjuj”, ka shkruar Mende Mateski.
Koha e postimit, kur në RMV tashmë një muaj ka nisur para-fushata për zgjedhjet lokale dhe gjendja aktuale me lumin dhe shtratin, ngre dyshimin se fotoja është bërë sa për të krijuar opinion publik se po punohet.
Maksim Dimitrievski, e ka shpallur kandidaturën për kryekomunar dhe synon mandatin e tretë.
Nga komuna e Kumanovës deri në publikimin e tekstit nuk janë deklaruar se cili është plani për pastrimin e shtratit dhe sa herë pastrohet brenda vitit.