Osmani: Nuk është fer t’ju japim shpresë të rreme qytetarëve për shtyrjen e afatit për pasaportat

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani thotë se nuk është e drejtë t’u jepet shpresë e rreme qytetarëve se afati për ndryshimin e pasaportave me emrin e ri kushtetues mund të shtyhet, por, sipas tij, do të ishte korrekte për institucionet shtetërore të organizohen dhe ta përshpejtojnë lëshimin e pasaportave. Osmani vlerëson se nuk mund të ndryshohen dispozitat e Marrëveshjes së Prespës dhe as të ndryshohet ligji për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat parashikojnë ndryshimin e pasaportave deri më 12 shkurt të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja e Prespës është marrëveshje ndërkombëtare. Mendoj se në vend që të përqendrohemi të japim shpresa të rreme tek qytetarët se do të ndryshojmë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës apo se do të ndryshohet ligji për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, duhet të punojmë që qytetarët të mos kenë asnjë pengesat pas 13 shkurtit. Të përshpejtohet dhënia e pasaportave, të fillohet të ngjitet afishe në targa dhe mendoj se është më e shëndetshme t’u thuhet qytetarëve që është detyrim që zgjat 5 vjet dhe të përpiqemi të rregullojmë dokumentet e qytetarëve deri në 13 shkurt 3 , jo në kurriz të qytetarëve, por shteti duhet t’i bëjë ato përpjekje dhe nëse është e nevojshme të dëmshpërblejë qytetarët që duhet të ndryshojnë dokumentet personale gjatë kësaj periudhe”, tha Osmani.

Kjo qasje, sipas tij, është më e shëndetshme se marrja e pikëve politike për diçka që nuk do ta bëjmë dot, as Gjykata Kushtetuese nuk mund të ndryshojë Marrëveshjen e Prespës dhe as ndonjë ndryshim ligjor.

“Le të organizohemi, të kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët për diçka që e kemi marrë si detyrë dhe ta zgjidhim atë çështje deri më 13 shkurt. Më mirë t’u themi qytetarëve – e kemi obligim, ta organizojmë që të kalojë pa shumë vështirësi, sesa t’u japim shpresa të rreme se afati do të shtyhet për hir të ndonjë avantazhi politik parazgjedhor. E shohim që turmat janë duke u zvogëluar në disa pjesë, le t’i vëmë në dispozicion të gjitha forcat institucionale që qytetarët të mos kenë probleme me udhëtimin pas 13 shkurtit”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media në MPJ me kolegun e tij nga Shqipëria Igli Hasani.

Osmani të premten u takua me ambasadoren greke Sofia Philippidou, pas së cilës kabineti i tij njoftoi se “janë shqyrtuar edhe masat dhe aktivitetet e ndërmarra nga Qeveria në drejtim të zbatimit të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës”.

Në fillim të këtij muaji, presidenti Stevo Pendarovski tha se afati për ndryshimin e pasaportave mund të shtyhet me dy ose tre amendamente ligjore, dhe VMRO-DPMNE më pas dorëzoi peticion në Gjykatën Kushtetuese për ligjet për dokumentet e udhëtimit dhe për sigurinë në komunikacion, të cilat nëse pranohen, do të lejonte shtyrjen e afatit.

Por, Osmani ka përsëritur sot se deri më 12 shkurt duhet të ndërrohen pasaportat.

“T’u themi qytetarëve –  kemi edhe një muaj, të organizohemi sa më shumë, t’i ndryshojmë dhe më 12 shkurt do të shohim të gjejmë zgjidhje për ata që nuk ia kanë dalë”, tha Osmani.

Kujtojmë se për letërnjoftimet është vazhduar afati i vlefshmërisë.

MPB-ja informoi se qytetarët se letërnjoftimet me emrin e shtetit “Republika e Maqedonisë” që kanë afat, gjegjësisht nëse afati nuk ka kaluar, do të vazhdojnë të vlejnë edhe pas 12 shkurtit të vitit 2024.

Ministria theksoi që Ligji për Letërnjoftime nuk ka ndryshuar, për këtë letërnjoftimet me emrin e vjetër do të vazhdojnë të vlejnë edhe pas 12 shkurtit.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.