RMV, edhe sot e hapur mundësia për mbështetjen e grave në ndërmarrësi

Qytetaret e Shkupit që merren me ndërmarrësi do të mund të aplikojnë edhe sot në Thirrjen Publike për financimin e projekteve për mbështetjen e grave sipërmarrëse në qytetin e Shkupit për vitin 2025, transmeton Portalb.mk.

Financimi do të jetë për organizmin e trajnimeve, ngjarjeve, shërbimeve konsultuese dhe fushatave promovuese.

“Të drejtë për pjesëmarrje në thirrjen publike kanë gjithë shoqatat e qytetarëve, fondacionet, federatat, institucionet, shoqatat për tregti dhe agjencitë për marketing që janë të regjistruar në Regjistrin Qendror të RMV-së me vendbanim në Shkup”, theksohet në Konkurs.

Projektet që janë të kompletuara dhe i plotësojnë kushtet dhe kriteret, Komisioni do t’i propozojë te Kryetarja e Qytetit, e cila pastaj do të marrë Vendim për ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e projekteve.

“Aplikantët e thirrjes publike do të njoftohen për rezultatet në afat prej 15 ditëve nga dita e miratimit të Vendimit për ndarjen e mjeteve financiare”, paralajmërohet në Thirrjen Publike.

Dokumentet duhet të dorëzohen në Qytetin e Shkupit, te sektori për zhvillimin e ekonomisë lokale.